Një titull i ri zë vend në vargun e botimeve të Fondacionit “ALSAR”. Një botim i ri për një temë që nuk i ikën kurrë koha.
“ALSAR” sapo e botoi veprën e autorit Zekeriya Güler, teologut turk; një punim mbi pozitën e gruas në Islam, mbi identitetin dhe personalitetin e saj, bazuar në fjalët e të Dërguarit të Zotit.
Nga sa e bën të qartë teksti në kapakun e prapmë të botimit, përmes përpjekjes për t’i komentuar hadithet profetike është dhënë mundësia të tregohet se si keqtrajtoheshin gratë në kohën e injorancës (xhahilijetit), si u mohoheshin të drejtat dhe liria, e si Allahu i Lartësuar u dha lavdi, nder e dinjitet, me anë të Profetit të Tij.
Trajtesa është e gjerë. Ajo meriton sigurisht vëmendje dhe lexim të kujdesshëm. Një rast i mirë për t’u futur në mendime, për të reflektuar, për ta riparë realitetin, për t’i rivështruar idetë mbi dy elemente esenciale të jetës në këtë botë kalimtare.
Kur autori flet për vëmendjen dhe interesin për librin, të ribotuar dhe të përkthyer në gjuhë të tjera, tani dhe në shqip, e ka vetëdijen dhe e thekson faktin se, në të vërtetë, vëmendje dhe interes është treguar për të Dërguarin e Allahut, si mësues i njerëzimit, për familjen shembullore të ndërtuar nga ai.
Ai nuk lë pas dore në krye të librit një shprehje të mirënjohjes për z. Mehdi Gurra, kryetarin e Fondacionit “ALSAR”, nxitës i botimit në shqip, për përkthyesen dhe për çdo ndihmues në sjelljen te lexuesi ynë të këtij punimi.
Prof. dr. Zekeriya Güler ka një karrierë të gjatë akademike. Pjesëtar i trupës pedagogjike në fakultetet e teologjisë të disa universiteteve në Turqi, atë e gjejmë aktualisht në Universitetin “29 Mayıs”. Prirjen drejt shkencës së hadithit ia vërejmë në titujt e botimeve me autorësinë e tij.