Institucioni i vakëfit në hapësirën ballkanike (parathënie e botimit)

Nga: Mehdi Gurra

Pasi e mori veten prej Luftës së Dytë Botërore, njerëzimi, i shtyrë prej ideologjisë së qytetërimit mbizotërues në ekspansion, pretenduar prej zëdhënësve të tij si qytetërimi më i epërm, iu dha në një masë të konsiderueshme kërkimit të kënaqësisë vetjake nëpërmjet përmbushjes materiale. Ky hedonizëm gati i pafre, sidomos pas mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe mbetjes së botës për do kohë pa blloqe rivale, u dëshmua kudo ku depërtoi fryma e konsumerizmit.

Kahje fort e rrezikshme kjo për krijesën njerëzore, një vetasgjësim i ngadaltë, i pashmangshëm prej degradimit të misionit me të cilin ajo e bashkëshoqëron ekzistencën e përkohshme në këtë jetë. Intensiteti i jashtëzakonshëm në kërkim të rehatisë vetjake, rezultat dhe i shumë fenomeneve sociale, i ka hequr kuptimin jetës shoqërore në domethënien e saj klasike. Tani njeriu lypset të kujdeset vetëm për veten, e aspak për ndokënd tjetër në mjedisin rrethues!

Çka është një karakteristikë globale nuk mund të mos reflektohej dhe tek ne, për më tepër të dalë prej një periudhe disadekadëshe shtrydhjeje, mospasjeje, zhveshjeje nga prona, nga mirëqenia. Përpos së gjithave, shpërnguljeve nga vendlindja, ndryshimeve demografike, yshtjes nga të mirat materiale të siguruara në çdo formë, shpesh padrejtësisht, dramave shoqërore të tranzicionit, shpleksja e familjes së madhe tradicionale, copëzimi i saj dhe asgjësimi i presionit parimor që ajo ushtron mbi individin, i shtruan rrugën kaosit në konceptin e të jetuarit. Dhënia pas sigurimit medoemos të pronës dhe të pasurisë mori përmasa të frikshme, pasojat e së cilës do të kenë efekte afatgjata te njeriu dhe te shoqëria.

Përballë kësaj gjendjeje thuajse të pashpresë, nëse e shohim në mënyrë pesimiste gjënë, kthimi i syve nga institucioni i vakëfit shërben më së pari për të kuptuar se ç’po humbasim rrëmbyeshëm dita-ditës, se si po shembet struktura e jetës shoqërore, se në ç’hone po bie ndërgjegjja njerëzore, vetëdija për qenien krijesë sociale.

*

“Nuk do ta arrini virtytin pa dhënë atë që dëshironi për vete. Zoti e di sigurisht çdo gjë që jepni.” Ky ajet kur’anor (3:92) ia ka bërë të qartë njeriut udhën drejt përsosurisë (aq sa mundet ta arrijë si qenie mëkatare).

Bamirësia institucionalizohet me vakëfin, siguron vazhdimësi. Pasuria sakrifikohet për hir të Zotit, për të fituar kënaqësinë e Tij. Nijeti shpirtëror triumfon mbi atë material, heqja dorë prej një pronësie në emër të dhembshurisë dhe mëshirës e lartëson njeriun, si shprehje e përkryer e besimit, e ndjenjave sipërore.

Prona e lënë vakëf del prej pronësisë së zotëruesit, as mund të shitet, as mund të falet, as mund të lihet trashëgim. Kushtet e vëna në aktin e dhurimit nuk mund të ndryshohen; çdo përpjekje për cenimin e tyre ka si përgjigje të paramenduar dhe të parathënë mallkimin e shkruar në aktdhurimin. Në anën tjetër, aktdhurimi përmban lutje për këdo që i shërben si duhet vakëfit.

Dhënia nga vetja për të mirën e shoqërisë është një veprim i hershëm njerëzor. Nisur me Ibrahimin si traditë, ndjekur në histori nga të përshpirtshëm, profetë e njerëz të thjeshtë, institucioni i vakëfit e pati lulëzimin e plotë në periudhën e Perandorisë Osmane, si bamirësi e nivelit të lartë, përgjegjëse për shumëçka të mirë në shoqëri, për shumë vepra ende midis nesh. Aq terren fitoi kjo iniciativë bamirëse, dhe në aq shumë fusha u zhvillua, sa u bë tipar dallues i qytetërimit osman, i njohur si “qytetërimi i vakëfeve”.

Vakëfi në Ballkanin osman ishte i kudondodhur; përmes tij ngriheshin qytete, transformohej vendbanimi, ndërtohej, ndihmohej mirëqenia e banorëve, u jepej zgjidhje vështirësive, problematikave. Kishte marrë dhenë, pra, kultura e dhënies përparësi interesit të përgjithshëm duke sakrifikuar gjëra të rëndësishme të vetjakes. Po aq sa një nismë e nxitur vetvetishëm prej besimit të dhuruesit, dhe në shoqërinë ballkanike osmane lënia vakëf e pasurisë mori trajtën e elementit kulturor, qytetërimor. Strukturat vakfnore sollën zhvillim, vendosën themele qytetesh, themele identitetesh. Sa qytete shqiptare e njohën fillimin e historisë së tyre në atë kohë! Objekte dhe institucione të ndërtuara si vakëfe, xhami, mejtepe, medrese, imarete, karavansaraje, çezma, puse, ujësjellësa, banja publike, çarshi, shërbyen si qendra rreth së cilave u ngrit jeta.

*

Kjo traditë për t’u mburrur e humbi forcën dhe u thërrmua dalëngadalë me fundin e Perandorisë Osmane. Posaçërisht në Ballkan, regjimet u kujdesën ta fshinin sa mundnin trashëgiminë e së shkuarës. Shkatërrimi i institucionit të vakëfit ishte më brutal në Shqipëri, rrjedhojë e sulmit frontal që diktatura ndërmori ndaj shpirtërores, synuar për të sjellë në jetë njeriun e ri, pa gjësend, pa plaçkë e pa pronë, të paaftë kësisoj për t’u bërë mirë të tjerëve, madje dhe pa dëshirën për diçka të tillë. Historia e pas ’90-s nuk është për t’u lavdëruar. As shteti nuk u tregua i gatshëm ta jepte gjënë e rrëmbyer me pa të drejtë, as njeriu, dhe institucioni përkatës, nuk u soll si duhet me të kur pati fatin t’i kthehej toka a prona vakëf. Shembuj të ngjashëm ka kudo në Ballkan.

Me dëshirën për t’ia bërë sa më mirë të njohur publikut institucionin e vakëfit dhe përhapjen e tij në Ballkanin osman, dhe me ambicien për të ngjallur sërish në njerëz ndjenja të tilla sakrifikuese në shërbim të së mirës së përbashkët, Fondacioni ALSAR e organizoi katër vite më parë në Tiranë, më 2018, konferencën shkencore ndërkombëtare për institucionin e vakëfit në Ballkan. Trajtesat përfshinë një gamë të madhe çështjesh dhe i dhanë hakun temës. Ligjëruesit e shumtë bënë një panoramë të zgjeruar të aktivitetit vakfnor në Ballkan, për çka meritojnë falënderimin dhe përmendjen këtu, duke nisur nga prof. dr. Ferit Duka, Doğan Yörük, Mevlüt Çam, Petrit Zeneli, dr. Nehat Krasniqi, Hatixhe Ahmedi, prof. dr. Alaatin Aköz, Sadik Mehmeti, Ali Bardhi, Mehmet Akif Erdoğru, prof. dr. hfz. Halil Mehtiç, Mehmet Emin Yılmaz, Gökçe Günel, Alxhan Xhafer, Vejsel Bajram, İrfan Akça, Ismail Bardhi, prof. dr. Mehmet İnbaşı, Driton Dikena, Eyüp Kul, Qerim Lita, Emrah Başaran dhe Ruhi Can Alkın. Për interesin që paraqitën kumtesat dhe për nivelin e tyre mjaft të mirë, u vendos që t’i jepeshin lexuesit në një botim të posaçëm. Ato përbëjnë dhe një material të nevojshëm referencial për historianin e fushës.

Një falënderim duam të shprehim për  prof. dr. Ahmet Taşğın, për kontributin në organizimin e konferencës.

Shpresa jonë është qe me konferencën dje dhe me botimin sot t’i kemi shërbyer shoqërisë, të tashmes dhe së ardhmes, siç bëjmë me çdo veprimtari tonën!

soap 2 day