Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, i Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, organizuan të premten një konferencë shkencore mbi kontributin e prof. dr. Seit Mansakut në gjuhësinë shqiptare.
Në konferencë e mori fjalën mes shumë kumtuesve dhe z. Mehdi Gurra, kryetari i Fondacionit ALSAR. Ai foli mbi bashkëpunimin me prof. Mansakun, si përkthyes në disa botime, redaktues në të tjera, dhe mbajtës kumtesash në aktivitete të ndryshme.
- Gurra e vlerësoi lart në trajtesë kontributin e prof. Seit Mansakut në Botimet ALSAR, dhe në respekt të këtij kontributi i ftoi organizatorët e konferencës që kumtesat e mbajtura t’i jepen ALSAR-it për t’i mbledhur e publikuar në një botim të posaçëm.
Fjala e z. Mehdi Gurra:
Nisma për t’u duartrokitur e organizimit të një konference shkencore për kontributin e prof. dr. Seit Mansakut në gjuhësinë shqiptare më ka dhënë vërtet një mundësi mjaft të mirë për ta vënë në dukje mes jush dhe ndihmesën e tij në përvijimin e një linje intelektuale, thuajse akademike, në veprimtarinë e Fondacionit ALSAR.
Trajtesa ime sigurisht që ndryshon disi nga e parafolësve, ndonëse në thelb ka falënderimin për kontributin e një njeriu ende në lëvizje, vijueshmërisht në studim, pandërprerë në aktivitet. Prof. dr. Seit Mansaku i përket një plejade që aktin e trashëgimisë së tyre e kanë nënshkruar me penën e punës studimore, të ligjërimit në dobi të kulturës kombëtare.
Pa të, e të tjerë si ai, tranzicioni ynë shoqëror shumëdekadësh do të kishte qenë më i mundimshëm, më i varfër, më pështjellues, më dëmtues, më i pangjyrë dhe kaotik. Përbën njëfarë ngushëllimi, shoqëruar me grimca optimizmi, fakti se ka lëmenj veprimtarie ku topitja, plogështia, letargjia, në mos krejt e huaj, nuk është gjithsesi e mirëpritur, e dëshiruar.
Largpamësia në krijimin e Fondacionit ALSAR dhe në trajtësimin e tij mbi tre boshte, njëri prej të cilëve ishte kulturor, e parashihte “shfrytëzimin” e pasurisë intelektuale dhe akademike njerëzore në përmbushjen e misionit atdhetar të vetideuar.
Pas kaq shumë kohësh e pas një reflektimi të shpejtë, e them me plot gojën se prof. dr. Seit Mansaku e ka dhënë deri më tani, e shpresoj të vazhdojë ta japë, atë kontribut të kërkuar prej tij në lëmin e albanologjisë, aq sa çështjet e saj janë lëvruar në organizmin të cilit i prij prej në krye të herës.
Prania e tij e herahershme, përmes ideve dhe sugjerimeve në të njëjtën kohë, në bordin e botimit, apo si përkthyes a përgatitës botimesh, i ka shërbyer hedhjes së farës, mbjelljes, çeljes dhe rritjes së frytit të kulturës në një fondacion dita-ditës më të vendosur për t’u bërë zë referues përtej karakterit humanitar, me të cilin qe mburrur e njohur deri para jo shumë vitesh.
Mendimit sado të vogël të sjellë mbase prej dikujt këtu se ajo çfarë po them është një mirënjohje e pandier, e paqëlluar dhe mekanike, mund t’i përgjigjem fare mirë me renditjen e disa prej punëve tona që mbajnë emrin e prof. dr. Seit Mansakut, rrëfyese të kthjellëta e të sinqerta të kontributit të analizuar.
Ai shqipëroi nga frëngjishtja për Fondacionin ALSAR veprën e Pashko Vasës, “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”, për të cilën do të shkruante në faqet hyrëse të saj, se: “traditat gojore popullore të përzgjedhura dhe të përdorura nga një historian e dijetar me kulturë të gjerë si Pashko Vasa, njohës i mirë dhe i drejtpërdrejtë i gjeografisë dhe i historisë së atyre viseve për të cilat shkruan dhe i Perandorisë Osmane që sundonte mbi to, marrin vërtet vlerën e dëshmive historike”. Nuk mund të lihet pa thënë këtu se vepra do të pritej mjaft mirë dhe me interes si në Shqipëri dhe përtej kufijve qoftë për temën, qoftë për mjeshtërinë e shqipërimit.
Prof. dr. Seit Mansaku mban po ashtu autorësinë si përkthyes nga frëngjishtja në botimin “Thirrje e kolonisë shqiptare në Turqi drejtuar fuqive të mëdha të Antantës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Për ta ilustruar rëndësinë e këtij botimi, dhe me anë të tij dhe kontributin e përkthyesit, mjaftojnë disa fjali mes faqeve 11-12, ku lexojmë: “Askush nuk e mohon se shqiptarët janë një racë e fisshme burrash sypatrembur, të guximshëm, punëtorë dhe të ndershëm, virtyte të çmuara në Europë. Ata duan aq kufij të gjerë sa të mund të zhvillohen dhe të mirëpresin vëllezërit e tyre nga shtetet fqinje që presin me padurim të vendosen në një Shqipëri të re. Nuk ekziston rreziku i konflikteve të brendshme me bazë fetare. Shqiptari i krishterë është i bashkuar me shqiptarin mysliman nëpërmjet gjuhës, historisë së përbashkët dhe lidhjes etnike, forca e së cilës nuk kuptohet lehtë, kuptohet vetëm nga ata që i njohin mirë shqiptarët.”
Për botimin anastatik “Kalendari kombiar” dhe promovimin e tij, prof. Mansaku do të shkruante dhe mbante një kumtesë në Prishtinë në fundin e marsit të vitit 2018. Nën titullin: “Gjuha shqipe dhe shkolla shqipe në faqet e Kalendarit Kombiar”, ai do të merrte në analizë atë çka vetë e përcaktonte aty si “një nga organet kryesore të periudhës së Rilindjes dhe të Pavarësisë kombëtare”.
Por ç’do të thoshte ai për “Kalendarin kombiar”, për botimin e risjellë për lexuesin nga Fondacioni ALSAR? Po citoj nga kumtesa e tij: “Botimi dhe përhapja e Kalendarit Kombiar ka qenë një shkollë e madhe atdhetarizmi, shkollë diturie enciklopedike dhe shqiptarie, udhërrëfyes i vlerave historike, kulturore dhe shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, promovues i dijeve teorike dhe praktike nga fusha të ndryshme. Ai ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zgjimin dhe formimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve…. Botimi i kësaj vepre na afron atë botë shqiptare plot idealizma dhe atdhetarizma e sakrifica sublime të Rilindasve të mëdhenj për të cilat ka shumë nevojë koha jonë, brezat tanë dhe brezat e ardhshëm. Koha jonë ka nevojë për idealizmin dhe përkushtimin atdhetar të Rilindasve të mëdhenj.”
Në vazhdim të kontributit të tij, prof. dr Seit Mansaku ishte, së bashku me një varg kolegësh, pjesë e këshillit të botimit të librit “Shoqëri e të Shtypuri Shkronja Shqip 1879 – Përmbledhje studimesh dhe artikujsh me rastin e 140-vjetorit të themelimit, 1879-2019”.
Po kaq me vlerë dhe i rëndësishëm ishte dhe kontributi i tij në përgatitjen e botimit anastatik “Alfabetare e gjuhësë shqipe – Në Stamboll më 1879”.
Një kontribut të veçantë historik, gjuhësor e kulturor, do ta cilësonte prof. Mansaku një tjetër vepër të botuar nga Fondacioni ALSAR, atë të prof. Xhevat Lloshit, “Fjalorët e shqipes me turqishten”, në kumtesën e mbajtur në ceremoninë e promovimit.
Në të gjitha këto vepra, dhe në të tjera të redaktuara nga ai, e njëkohësisht në shkrime e kumtesa, prof. dr. Seit Mansaku e vuri veten në rolin e një kontribuesi në Botimet ALSAR kushtuar albanologjisë. E bëri këtë me vullnet e dashamirësi, me profesionalizëm dhe seriozitet akademik, pa bërë sigurisht lëshime në kurriz të cilësisë dhe duke u mbyllur çdo shteg atyre.
Vështrimi im këtu ishte vërtet deri diku i përgjithshëm, jo i specifikuar në hollësi dhe në analiza të imtësishme, siç bënë më herët kumtues të përqendruar te gjuhësia dhe shqipja, por kjo është e shpjegueshme, sepse ato nuk janë në fushat e mia të kualifikimit. Përqendrimi im, përndryshe, ishte në bërjen të njohur të kontributit të prof. Seit Mansakut për çështjet e albanologjisë në Fondacionin ALSAR dhe, për rrjedhojë, e natyrshëm, të shprehjes së falënderimit në këtë mënyrë për gjithçka na ka dhënë ai e që presim të na japë në të ardhmen.