Mbahet në Stamboll takimi i 37-të i Këshillit të İDSB-së, merr pjesë dhe kryetari i Fondacionit ALSAR.

Në Stamboll është mbajtur takimi i 37-të i Këshillit të İDSB-së, Unionit të Organizatave të Shoqërisë Civile të Botës Islame.

Takimi i mbajtur më 24 shkurt në metropolin turk ishte i pari pas pandemisë që ndërpreu lëvizjet dhe aktivitetet shoqërore në nivel botëror në nisje të kësaj dekade.

Anëtarë të İDSB-së nga e gjithë bota morën pjesë dhe diskutuan në takim për një varg çështjesh. I pranishëm në punimet e tubimit si anëtar kryesie dhe përfaqësues nga Ballkani ishte kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.

Gjendja në Gaza dhe katastrofa humanitare atje zuri vend në rendin e ditës. Folësit shprehën domosdoshmërinë e ndërprerjes së luftimeve, duke nënvizuar se zgjidhja me dy shtete është e vetmja perspektivë paqesjellëse për atë territor dhe për rajonin.

Në një kuadër më të ngushtë, në suazat e Unionit, u diskutua për anëtarësimet e reja në İDSB, të nevojshme për një përfshirje sa më të gjerë dhe për forcim të zërit të këtij organizmi joqeveritar.

Veprimtaritë aktuale të İDSB-së, projektet e planifikuara për vitin 2024 dhe për të ardhmen, përgatitjet për një konferencë në muajin maj në Marok, u trajtuan në fjalët e diskutuesve.

Theks i veçantë u vu te nevoja për veprim më të gjallë, më aktiv, të İDSB-së, si përbashkuese dhe përçuese e një aktivizimi të gjerë të shoqërisë civile në botën islame.

Mes atyre që e morën fjalën, z. Mehdi Gurra e përshëndeti takimin dhe shprehu falënderimin për organizimin.

Kryetari i Fondacionit ALSAR u ndal te çështja e Gazës, duke uruar fund sa më të shpejtë të vuajtjeve të banorëve atje dhe dhënie përparësi zgjidhjes me dy shtete.

Ndër të tjera, z. Gurra foli dhe për një zgjerim të pranisë së İDSB-së në Europë me anëtarë dhe aktivitete.

Takimi i shërbeu shkëmbimit të ideve dhe përvojave, konsolidimit të bashkëpunimit, në frymën e vullnetit për angazhim të vazhdueshëm shoqëror.

soap 2 day