“Për Toptanasit që di”, botimi ynë i ri

Botimet ALSAR i japin publikut një punim të gjerë për një familje me shumë emër në Tiranë, përgatitur nga një pasardhës i saj, me ambicien për t’ia ruajtur asaj historinë dhe për t’ia vënë në pah shkëlqimin e dikurshëm.

“Për Toptanasit që di – Midis Lindjes dhe Perëndimit”, me autor Ajten Toptanin, u botua nga Fondacioni ALSAR me synimin e qartë për t’ia bërë të njohur lexuesit historinë e një dere të madhe, prej nga dolën shumë figura që lanë gjurmë në të shkuarën e vendit.

Interesi botues i Fondacionit ALSAR ishte për historinë e tërë të toptanasve, pa dashur dhe pa kërkuar fokusim në një personazh të veçantë. Botuesi mund të mos ketë pikëpamje të njëjtë aty-këtu me autorin, madje nuk ndan të njëjtin mendim dhe të njëjtën optikë për trajtesa të veçanta, si në shkrim dhe në ilustrim, por respekton autorësinë dhe ia lë lexuesit gjykimin, i bindur në qëllimin fisnik të botimit.

* * *

“Për Toptanasit që di” ka tiparet e një historiku dhe të një albumi, me informacion të shumtë për familjen Toptani. Njohja me historinë e saj të çon dhe te të kuptuarit e trashëgimisë së Tiranës, qoftë historike, etnografike, kulturore dhe njerëzore.

Jetëshkrimet, qindra ilustrime, tabelat gjenealogjike, janë në funksion të përshkrimit sa më të detajuar të kësaj familjeje.

Punimi përbëhet nga dy pjesë, e para me tekste dhe ilustrime, dhe e dyta krejtësisht me ilustrime, ku përfshihen fotografi, grafika dhe vizatime. Botimin e mbyll një tabelë e plotë gjenealogjike e familjes Toptani.

Në rreth 700 faqe, punimi është kontribut me shumë vlerë për njohjen e familjes Toptani dhe rolin e saj në historinë e vendit tonë, për mbajtjen gjallë të kujtimit të së shkuarës së toptanasve.

Dhe siç shkruan autori në epilog, i kufizuar në rrethin e familjes mbiemrin e së cilës mban, “Duhet të ruajmë traditën dhe historinë e përpjekjeve të asaj pjese të kontributit tonë familjar për vendin dhe civilizimin e tij….”

Slide Slide Slide Slide
soap 2 day