Të dërguarit e medresesë në Tekirdağ, Uluslararası Şehit Münür Alkan Anadolu İmam Hatip Lisesi, morën sot në pyetje nxënësit e interesuar për ndjekjen e studimeve në të.
Procesi i një provimi me shkrim dhe i marrjes në pyetje të çdo individi u bë në ambientet e Fondacionit ALSAR, aty ku të interesuarit e kishin bërë tashmë aplikimin.
Përfaqësia e institucionit arsimor turk në Tekirdağ, e përbërë nga katër pjesëtarë të trupës arsimore, ua bëri të njohur fillimisht aplikuesve nëpërmjet pamjeve filmike ambientet shkollore ku ata mund të vazhdojnë studimet. Aplikuesit u njohën me lëndët dhe programin mësimor të shkollës, Uluslararası Şehit Münür Alkan Anadolu İmam Hatip Lisesi, dhe morën informacionin e duhur për gjithçka rreth saj.
Nxënësit iu nënshtruan më pas një provimi me shkrim, ndjekur nga pyetje të drejtpërdrejta për çdonjërin, për të parë nivelin aktual të përgatitjes së tyre shkollore.
Procedura e ndjekur është e zakonshme në përcaktimin e fituesve të aplikimit, të atyre që do të fitojnë të drejtën për t’i ndjekur studimet në shkollat përkatëse.
Përgjigjet për aplikuesit pritet të mbërrijnë pas pak ditëve.
Medreseja në Tekirdağ, Uluslararası Şehit Münür Alkan Anadolu İmam Hatip Lisesi, lajmëroi javë më parë se do të marrë nxënës me bursë nga Ballkani për vitin shkollor 2021-2022, e, në këtë kuadër, dhe nga Shqipëria. Përzgjedhja e tyre është tani drejt fundit.
Fondacioni ALSAR ua ka mundësuar në vite të rinjve dhe të rejave t’i ndjekin studimet e mesme dhe të larta në Turqi. Ndjekja e studimeve në Turqi është dëshirë dhe objektiv i shumë nxënësve dhe studentëve me ambicie, për nivelin e lartë të institucioneve arsimore turke dhe mundësitë në të ardhmen për punësim.