Përkujtohet me programin “Gjurmëve të traditës” 32-vjetori i rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut

Tirana do të përjetonte një ngjarje të madhe më tepër se tre dekada më parë, rihapjen e xhamisë në sheshin e saj qendror. 18 janari i vitit 1991 shënonte kthimin e lirisë së besimit, aq shumë të ëndërruar dhe të kërkuar.

Një program kushtuar 32-vjetorit të atij momenti të paharrueshëm historik për besimtarët dhe qytetarët e kryeqytetit dhe të Shqipërisë u organizua dhe u mbajt nga Fondacioni ALSAR në ambientet e hotelit “Tirana International”.

Vargjet kur’anore të kënduara mjeshtërisht mga mysafiri nga Turqia, hafiz Hakan Kutlu, pedagog në Universitetin “Fatih Sultan Mehmet” në Stamboll, e hapën programin në sallën “Balsha”, mbushur me pjesëmarrës.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe mbajti fjalën e hapjes, në të cilin tha:

“Pas pak ditësh mbushen 32 vite nga rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut, një prej ngjarjeve që vulosën fundin e një regjimi të ushqyer nga ateizmi dhe që aplikoi ateizmin e vetëm shtetëror në botë.

Hapja më 18 janar 1991 e dyerve të mbyllura me dhunë të xhamisë në qendër të Tiranës ishte ëndërr e shndërruar në realitet, falë Zotit, për mijëra besimtarë, për të rinj të cilët i kishin parë baballarët e tyre të binin në sexhde fshehurazi, për ata të cilët kishin besuar pandërprerë se do t’i gëzoheshin sërish një ditë dritës së fesë.

Atë ditë tubimi ishte i natyrshëm, madhështor dhe sublim. Prania masive jashtë xhamisë dhe brenda saj nënkuptoi përfundimin e epokës ateiste për vendin tonë! Ajo datë shënoi mbarimin e mjerimit shpirtëror për këdo në kërkim të ushqimit me fjalën e Zotit dhe të ecjes në jetë nën shembullin e Profetit Muhammed (a.s.)!

Xhamia e Et’hem Beut i rezistoi një kohe të egër, një ideologjie makabre, një diktature perverse, për t’u veshur me simbolikën e çlirimit nga prangat e jofetarisë së detyruar. 18 janari i 32 viteve të shkuara ia rihapi besimtarit horizontin e mbuluar me re, tani e tutje i lirë për të besuar në fenë e tij.

‘Pas vështirësisë vjen lehtësimi’, thuhet në Kur’an. Dhe vërtet, pas 23 vitesh errësirë ndriti dielli i ditës së re për besimtarët!

Ky program është në përkujtim të kësaj ngjarjeje të madhe, për ta sjellë në kujtesë edhe njëherë atë kohë, për të qenë falënderues pandërprerë për mëshirën hyjnore dhe për t’i falënderuar përsëri nismëtarët e rihapjes së xhamisë.

Xhevahir i kryeqytetit, Xhamia e Et’hem Beut pret e përcjell sot besimtarë dhe vizitorë me një pamje të rinuar. Ajo mbetet po aq e dashur dhe po aq mallëngjyese sa në ditët e rihapjes. Simbol në vitet ’90 i ngadhënjimit të besimit mbi ateizmin, xhamia qëndron në ditët tona sfiduese ndaj valëve të zhvillimit të ethshëm material dhe përkujtuese në qendër të Tiranës se nuk ka mbi pasurinë shpirtërore, se nuk ka gjë më të vyer se besimi në Zot.

Xhamia e Et’hem Beut iu nënshtrua një restaurimi të plotë, të kryer nga TİKA, enti që konkretizon një pjesë të madhe të mbështetjes së Turqisë mike për Shqipërinë. Falë kësaj mbështetjeje në fushën e kulturës dhe të ruajtjes së trashëgimisë kombëtare janë restauruar dhe po restaurohen dhe objekte të tjera kulti kudo ku ndërhyrja është vlerësuar e nevojshme. Gjithmonë pranë shqiptarëve në këto dekada tranzicioni, Turqia po i dhuron Tiranës tani një gur të çmuar, xhaminë e Namazgjasë.

Gëzimi në përkujtimin e 32-vjetorit të rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut nuk përkon, për fat të keq, me ndjenjën e bashkësisë së muslimanëve për jubileun e 100-vjetorit të themelimit të Komunitetit Musliman Shqiptar. Viti jubilar i gjen drejtuesit e institucionit të padëshiruar nga një masë e madhe besimtarësh, të pakënaqur me mënyrën e drejtimit të punëve. Sektarizmi i një grushti personash nuk mund ta mbajë peng riorganizimin e jetës fetare islame në këtë institucion.

E thashë këtë për të vënë në dukje se përtej fasadës plot shkëlqim të Xhamisë së Et’hem Beut ka akoma gjëra për të rregulluar edhe pas 32 viteve. Nuk mjafton vetëm restaurimi i godinave, por kërkohet dhe kthimi i dinjitetit të institucionit, duke patur si burim frymëzimi plejadën e figurave të ndritura si Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, etj.

Programi është quajtur ‘Gjurmëve të traditës’ sepse Xhamia e Et’hem Beut përfaqëson një traditë që duhet mbajtur gjallë, të ruajtur nga të parët tanë e që duhet ruajtur dhe nga ne. Fondacioni ALSAR është i mirënjohur për aktivitetin e tij në ruajtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare.

Xhamia e Et’hem Beut mund dhe duhet të shihet dhe nga këndi i një tradite ndërtimore, e cila meriton të respektohet në aktivitetin ndërtues të objekteve të faljeve. Shoqata dhe fondacione të përfshira në ndërtimin e xhamive duhet t’i përmbahen sadopak arkitekturës tradicionale, për të mos e shtuar kaosin e jetës sonë sociale.

Në mbarim të fjalës sime, salavatet janë për Profetin Muhammed (a.s.), prijësin e besimtarëve në udhën e fesë me sunnetin e tij!”

Myftiu i Tivarit, z. Mujdin ef. Milaimi, mbajti ligjëratën, “Si do të jetonin muslimanët sot po të ishte profeti Muhamed a.s. mes nesh?”, të ndjekur me shumë vëmendje.

Me të njëjtin interes u dëgjua dhe ligjërata tjetër, e kryeimamit të Ulqinit, z. Ali Bardhi, “Shefati i pejgamberit a.s. dhe salavati në Mevludin e Hafiz Ali Riza Ulqinakut, e të mbështeturit me argument nas”.

Ilahitë dhe interpretimet e grupit artistik “Semazen” gjallëruan sallën dhe ia shtuan bukurinë programit.

Slide Slide Slide Slide Slide Slide Slide
soap 2 day