Përkujtohet në Tiranë pesëvjetori i ngadhënjimit të popullit turk mbi përpjekjen për grusht shteti

Këtë 15 korrik bëhen pesë vite nga përpjekja e dështuar për grusht shteti në Turqi. E freskët është kujtesa për atë që ndodhi, ndonëse ngjan një kohë disi e largët.

Ishte grusht shteti mizor, i pamëshirshëm, i urdhëruar pa asnjë lëkundje për gjakun që do të derdhej. U kthye në epope, në akt të pashembullt trimërie të turqve të thjeshtë, të cilët lanë shtëpitë dhe u derdhëm rrugëve për t’u thënë ndal puçistëve. Mizorisë iu përgjigjën me trimëri, me vetëmohim, me sakrificë të pashembullt!

Turqia kishte përjetuar grushte shteti dhe në të kaluarën, kishte parë ndërhyrje brutale ushtarakësh me pasoja të rënda për vendin, por si asnjëherë më parë historia do të merrte tjetër rrjedhë në 15 korrikun e 2016-s.

Asgjë nuk do të ishte më e njëjtë pas asaj date, pas një nate të gjatë ku u vendos fati i Turqisë së re. Njerëzve u thirri ndërgjegjja, e ardhmja e fëmijëve të tyre, e vendit të tyre. Zemrën dhe shpirtin ua ndezi thirrja e presidentit Erdoğan, për të mos u trembur prej grykës së armëve, tankeve dhe avionëve të kryerësve të grushtit të shtetit. Qindra dhanë jetën, mijëra u plagosën, miliona qëndruan në rrugë me javë për të mos i dhënë asnjë mundësi një tentative të tjetër.

Vetë populli e vendosi fatin e vet! I tha jo përmbysjes së rendit kushtetues, marrjes së pushtetit me dhunë. Shkurajoi përpjekjet për ta rrëzuar pushtetin e ligjshëm, të ardhur nëpërmjet votës së lirë, vullnetit popullor, me anë të dhunës. Historia u shkrua, si një mësim në të ardhmen për çdo puçist në Turqi!

Organizuesit e grushtit të shtetit i mbuloi turpi i tradhtisë, barrë u mbeti mbi shpinë gjaku i pafajshëm që derdhën. Në asnjë plan të tyre nuk kishte qenë një reagim i tillë popullor. Dështimi u erdhi prej atyre njerëzve të mbrujtur me besim të vërtetë dhe atdhetari nga ajo tokë e begatë.

Fati i puçistëve vendosi dhe fatin e çdo përpjekjeje të ngjashme më pas. Koha e grushteve të shtetit mori fund, pa hequr vigjilencën në prerjen nga rrënjët të tentativave të reja. Mbarimi i asaj beteje u ndoq nga një betejë tjetër, e cila vazhdon ende, ajo e pastrimit të shtetit, të aparatit shtetëror, dhe të jetës shoqërore nga tentakulat e organizatorëve të grushtit të shtetit të 15 korrikut.

Mbrëmja në mesin e korrikut pesë vite më parë u shndërrua nga tragjike në heroike. Turqia, e gjendur në prag të greminës, hodhi një hap tjetër, vendimtar, drejt të ardhmes së saj të ndritur. Turqit i treguan botës se ç’përgjigje meritonte një përpjekje për grusht shteti, se ata ishin të palëkundur në ecjen në rrugën e re.

Turqit shkruan një epope në atë 15 korrik, epopenë e Turqisë së re!

soap 2 day