Të hapura si për çdo vit, në kuadër të një projekti afatgjatë për mirërritjen e brezit të ri, kurset verore të mësim-besimit janë vëzhguar nga afër nga punonjës të Fondacionit ALSAR.
Vëmendja është përqendruar në ecurinë e tyre, në efikasitetin e mësimeve të dhëna. Inspektimi është bërë në tetë kurset, të ndjekura nga fëmijë të moshës nga 8 në 15 vjeç.
Ndryshe nga shkolla verore, e hapur vetëm në kryeqytet dhe për një numër më të kufizuar ndjekësish, kurset verore u krijojnë mundësinë e edukimit etiko-moral shumë fëmijëve në qytete të ndryshme të vendit.
Mësuesit për çdo kurs u japin fëmijëve njohuri besimi, në një proces mësimdhënieje jo të ngurtë, që i bën ata të ndihen mirë e të përthithin mësimin.
Vëzhgimi i ecurisë ndihmon në shmangien e të metave të mundshme dhe në përsosjen e aktivitetit, që tradita e kurseve verore të vijojë dhe të përfshijë sa më tepër fëmijë.
Këtë veprimtari verore të përvitshme e mbështesin partnerë të huaj të Fondacionit ALSAR, me kontribut të qenësishëm në mbarëvajtjen e tij.