HASENE, oganizata e ndihmave me qendër në Gjermani, po kryhen gjatë kësaj jave një varg aktivitetesh bamirëse për jetimët në vendin tonë, në kuadër të asaj që e ka quajtur “Projekti i jetimëve”.
Me projektin synohet t’u jepet ndihmë fëmjëve që për një arsye a një tjetër kanë humbur njërin nga prindërit apo të dy dhe që kanë nevojë për mbështetje të çdo forme.
Veprimtaria njëjavore zhvillohet në partneritet me Fondacionin ALSAR; një praktikë e ndjekur dhe në të shkuarën për projekte të ngjashme.
Takimi me jetimët bëhet përmes vajtjes në shtëpitë e tyre, ku shihen kushtet e jetesës, bisedohet me familjarët e jepen dhurata.
Përfaqësuesit vullnetarë të HASENE-së të ardhur në Shqipëri do të vizitojnë shtëpitë e 50 fëmijëve jetimë. Vizitat kanë nisur dhe përfshijnë gjeografikisht shtëpi të jetimëve në Tiranë, Durrës, Elbasan, Krujë, Kavajë, Dibër, Burrel dhe Gramsh.
Në shtëpitë e vizituara dhurohen pako ushqimore, ndihmë financiare, libra dhe mjete kancelarike për fëmijët që shkojnë në shkollë.
Përmes projektit përçohet ndjenja e solidaritetit, u jepet mbështetje shpirtërore jetimëve dhe familjeve të tyre, si dhe u lehtësohet sadopak jeta me gjërat e dhuruara.
Realizimi i projekteve të tilla në ndihmë të jetimëve është objektiv i përhershëm i Fondacionit ALSAR. Ai arrihet nëpërmjet bashkëpunimit dhe bashkërendimit me organizata partnere, si HASENE.