Qindra fëmijë të kurseve marrin çanta shkollore dhe mjete kancelarike, një projekt i mbështetur nga IHH me qendër në Holandë

Fondacioni ALSAR dhe IHH me qendër në Holandë realizuan gjatë tre ditëve të para të kësaj jave projektin e dhurimit të çantave shkollore dhe mjeteve kancelarike për ndjekësit e vegjël të kurseve fundjavore.

Në Tiranë, Kavajë, Lushnjë, Durrës, Elbasan dhe Fushë-Krujë, 470 fëmijë që ndjekin kurset etiko-moralo-besimore, për një edukim më të mirë të tyre, morën në datat 15-17 nëntor çanta shkollore, mjete kancelarike dhe libra jashtëshkollorë.

Ndjekjen dhe realizimin e projektit e ndoqën nga afër dy përfaqësues të IHH-së me qendër në Holandë.

Më 15 nëntor u bë shpërndarja e dhuratave për 40 nxënës të kursit në Mnik të Tiranës, për 50 nxënës të kursit në Momël të Kavajës, për 40 nxënës të kursit në Gërmenj po të Kavajës, dhe për 50 nxënës të kursit në Lushnjë.

Një ditë më pas, më 16 nëntor, përfitues ishin 41 nxënës të kursit në Zall-Bastar të Tiranës, 50 nxënës të kursit të Xhamisë Qendrore në Durrës, 50 nxënës të kursit në Fushë-Krujë, dhe 29 nxënës të kursit në Laprakë të Tiranës.

Sasia më e madhe e dhuratave shkollore, për 90 nxënës, u dha për kursin në Labinot-Katund të Elbasanit. Në të njëjtën ditë, më 17 nëntor, po në Labinot-Katund u shpërndanë të njëjtat dhurata dhe për 30 fëmijë ndjekës të kursit.

Projekti me mbështetjen e IHH-së me qendër në Holandë u realizua në kuadër të aktivitetit humanitar dhe arsimor të Fondacionit ALSAR. Mirërritja e fëmijëve, edukimi i tyre i duhur, mbetet një shqetësim i vazhdueshëm i ALSAR-it, që tek ta sheh të ardhmen e vendit.

IHH me qendër në Holandë dhe ALSAR bashkëpunojnë prej kohësh në realizimin e projekteve të ndryshme. Nga partneriteti i tyre frytdhënës kanë përfituar shtresa në nevojë të shoqërisë shqiptare, të vegjël e të rritur, të ndihmuar në shumë forma.

soap 2 day