Ky libër i profesorit Justin McCarthy përbën një nga tekstet e rëndësishme studimore mbi historinë e
zhvendosjeve demografike apo të spastrimit etnik të muslimanëve osmanë përgjatë viteve 1821–1922.
Ky studim erdhi si rezultat i hulumtimit statistikor të prof. McCarthy mbi popullsinë muslimane të
Anadollit gjatë shekujve XIX dhe XX, si dhe mbi lëvizjen e tyre demografike. Mirëpo rezultatet paraqitën
një tjetër tablo, që pasqyrohet në këtë libër. Vdekje dhe dëbim është historia e internimit dhe vdekjes së
miliona muslimanëve në shekullin XIX dhe fillimin e shekullit XX nga zona që kanë mbetur qendra
konflikti – Ballkani, Lindja e Mesme dhe ai që ishte Bashkimi Sovjetik – dhe tregon se si u zhvilluan këto
konflikte etnike dhe fetare.
Historia e ekspansionit të Perandorisë Ruse dhe e krijimit të shteteve të reja në Ballkan, tradicionalisht
është treguar nga këndvështrimi i kombeve të krishtera që dolën nga Perandoria Osmane. Vdekje dhe
dëbim e tregon historinë nga pozita e turqve dhe muslimanëve të tjerë, të cilët pësuan vdekje dhe
dëbim, si pasojë e imperializmit, nacionalizmit dhe konfliktit etnik.
Libri ndryshon rrënjësisht këndvështrimin tonë rreth historisë së popujve të Lindjes së Mesme dhe
Ballkanit. Ai paraqet një kornizë të re për të kuptuar mosmarrëveshjet që vijojnë edhe sot e kësaj dite.
Justin McCarthy është Profesor i Historisë në Universitetin e Louisville (SHBA), gjithashtu dhe demograf, i
cili ka shkruar gjerësisht për historinë e popujve të Ballkanit dhe Lindjes së Mesme. Ai është autor i
librave të spikatur mbi këtë subjekt, si: “Bota arabe, Turqia dhe Ballkani (1878–1914)”, “Popullsia e
Palestinës: Historia e popullsisë dhe statistikat e periudhës së vonë osmane dhe të Mandatit”, apo librit
tjetër të përkthyer në gjuhën shqipe nga Botimet ALSAR “Popujt osmanë dhe fundi i Perandorisë”.