Në ambientet e Fondacionit ALSAR rifilluan kurset e gjuhëve të huaja dhe të edukimit etiko-moral, si një aktivitet që bashkëshoqëron vitin shkollor.
Projekti jetëgjatë i kurseve është në përmbushje të misionit arsimor të fondacionit, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve që të shkollohen e edukohen sa më mirë. Ai është po ashtu pjesë e ndihmës së shumanshme për fëmijët jetimë.
Mësimin në kurset e gjuhëve të huaja, anglisht dhe turqisht, dhe në të edukimit etiko-moral e bën tërheqës niveli i lartë i mësimdhënësve. Për një përvetësim të mirë të diturive ndihmojnë metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe programet e ndryshme audiovizive.
Ndjekësit e kurseve janë të pajisur me mjetet e duhura didaktike. Salla e zhvillimit të kurseve ka po ashtu pajisjet e nevojshme.
Orari i kurseve është i tillë që nuk pengon ndjekjen e rregullt nga fëmijët të shkollës. Lënda e kurseve ndihmon në formimin më të plotë arsimor të fëmijëve dhe i bën më të përgatitur për të sotmen dhe të nesërmen e tyre.