Nga: Fondacioni “ALSAR”
Një prej tre shtyllave të veprimtarisë së Fondacionit “ALSAR” prej ditës së parë së themelimit të tij është aktiviteti humanitar, që përfshin gjithçka në ndihmë të njerëzve, në ndihmë të një shoqërie në tranzicion e me shumë nevoja.
Shtresa sociale në nevojë, fëmijë jetimë, familje pa të ardhura, institucione të ndryshme, marrin mbështetje gjatë vitit prej Fondacionit “ALSAR”; ndihmë monetare dhe ushqimore, në veshmbathje dhe në artikuj të jetës së përditshme, logjistike dhe infrastrukturore, marrin trajtim të përgjithshëm dhe të posaçëm.
Në një muaj të vitit, ky aktivitet shtohet, bëhet i dendur, merr tjetër shpejtësi. Ramazani, një muaj i veçantë për besimtarët muslimanë, por me ndikim dhe në pjesë të shoqërisë me sentimente më të dobëta fetare dhe spirituale, është po kaq i veçantë për Fondacionin “ALSAR”.
Përgjatë këtij muaji shpërndahen ndihma, shtrohen iftare, organizohen veprimtari. Gjithçka e menduar për ta bërë sa më të gëzueshme atmosferën e këtij muaji, për ta përçuar këtë gëzim kudo, dhe aty ku rrezet e lumturisë kanë depërtuar pak ose aspak.
Solidariteti human e përshkon Ramazanin prej ditës së parë në të fundit. Dukja e këtij solidariteti te Fondacioni “ALSAR” është fare e thjeshtë, tepër e lehtë për t’u perceptuar. Prej shumësisë së aktivitetit humanitar, bamirës, mundësuar dhe prej bashkëpunimit me organizata dhe institucione mbartëse të së njëjtës ndjeshmëri.
Ashtu si në çdo vit, edhe ky Ramazan pati të njëjtën pamje në “ALSAR”, përkundër kufizimeve të stërzgjatura prej pandemisë: gjallëri e skajshme, lëvizje, axhendë e ngjeshur, një ditë këtu dhe një ditë atje, shpërndarje pakosh, shtrime iftaresh, organizime ceremonish, etj.
Bilanci flet vetë: të shpërndara 8050 ndihma me pako ushqimore, dhënë për fëmijët jetimë të mbështetur në vazhdimësi nga “ALSAR”-i, për familje nevojtare, për shtresa në skaj të shoqërisë; iftare të shtruara apo të paketuara për 7500 persona, besimtarë dhe nevojtarë; veshmbathje të dhuruara për 432 fëmijë jetimë.
Harta e aktivitetit humanitar të “ALSAR”-it në Ramazanin e 2021-shit është e gjerë, nga Tirana në veri dhe jug të vendit, në qytete, lokalitete dhe fshatra ku ndihma ishte e mirëpritur, e nevojshme, gëzimdhënëse.
HASENE, TİKA, IHH me qendër në Holandë, IHH me qendër në Belgjikë, WEFA, RUMELİ VAKFI, ATİB, UKIM, AYDER, HAYRAT, AVRUPA YARDIM VAKFI, HAK-İŞ, Organizata Botërore e Bamirësisë, ADEMDER, ishin organizatat dhe institucionet që e ndihmuan Fondacionin “ALSAR” në këtë mision fisnik njëmujor. Mirënjohje atyre!