Në vazhdën e traditës së TIKA-s (Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim) në ndihmë të shtresave në nevojë, në katër qytete të Shqipërisë përkatësisht Tiranë, Lushnje, Divjakë dhe Fier u shpërndanë farëra bujqësore dhe plehra kimike për 50 familjet e jetimëve të suportuara prej vitesh nga ‘Fondacioni Alsar’
Farërat bujqësore të dhuruara familjeve të jetimëve janë një mundësi e mirë shfrytëzimi ekonomik për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe në rritjen e nivelit ekonomik familjar por edhe në forcimin e marrëdhenieve midis njeriut dhe tokës.
Për 50 familje jetimësh në qytetet e sipërpërmendura janë dhuruar plehra kimike dhe farëra bujqësore: misri, fasule dhe jonxhe.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, i cili ndau në momente të veçanta ndjenjat e solidaritetit me familjet në nevojë.
Ndihma e dhënë për familjet e jetimëve është shprehje e humanizmit dhe e solidaritetit në Muajin e Ramazanit ku vepra të tilla gjejnë një vend tepër të veçantë në këtë muaj.
‘Fondacioni Alsar’ shpreson dhe uron prodhimtari të begatë për familjet në nevojë që u bënë pjesë e këtij projekti.