Fondacioni ALSAR shpërndau sot, më 16 mars, bursat e ekselencës të akorduara për studentë të degëve të ndryshme të Universitetit të Tiranës. Ceremonia e dhënies së bursave u zhvillua në një auditor të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, në bashkëpunim me dekanatin e tij.
Të pranishmëve në ceremoni iu drejtua me një fjalë dekani i këtij fakulteti, prof. dr. Sabri Laçi, i cili u përqendrua te rëndësia e bashkëpunimeve me institucione të tilla si Fondacioni ALSAR në ndihmë të arsimimit të duhur të të rinjve. Ai u foli studentëve për aktivitetin e Fondacionit ALSAR, për veprimtaritë humanitare dhe botuese.
Pas tij përshëndeti drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku, që i bëri një pasqyrë aktivitetit arsimor të fondacionit dhe e vuri theksin te rëndësia e dhënë programit të akordimit të bursave të ekselencës, një projekt i realizuar për vite me radhë.
Ceremonia vijoi me dhënien e çeqeve për studentët. Bashkë me çeqet, ata morën dhuratë dhe botime të Fondacionit ALSAR.
Bursat e ekselencës për vitin akademik 2021-2022 u akorduan për 65 studentë. Në tetë vite të zhvillimit të këtij projekti arsimor, përfitues të bursave të ekselencës të akorduara nga Fondacioni ALSAR kanë qenë rreth 1000 studentë.
ALSAR-i e ka mes përparësive në veprimtarinë e tij ardhjen në ndihmë të rinjve dhe të rejave në rrugën e tyre të dijes. Me akordimin e bursave synohet të inkurajohen të rinjtë që t’i përkushtohen me tërë forcat studimit dhe përgatitjes sa më të mirë.