Muaji i begatë i Ramazanit, i agjërimit njëmujor për hir të Zotit, është shumë pranë, dhe vetëm pak ditë na ndajnë prej tij. Në traditën e konsoliduar prej vitesh të Fondacionit ALSAR, Ramazani pritet me një varg aktivitetesh humanitare në ndihmë të shtresave në nevojë.
Realizimi i projekteve të shumta humanitare ka nisur, i mbështetur nga organizata e shoqata partnere jashtë vendit. Në një gjeografi të gjerë do mbërrijë ndihma humanitare, e destinuar për të përçuar solidaritet, për të lehtësuar barrën e përballimit të jetesës, e për t’i përfshirë dhe më nevojtarët në frymën festive të Ramazanit.
Një aktivitet i tillë humanitar është zhvilluar në Kavajë, në një prej fshatrave të saj, ku janë dhuruar pako me artikujt kryesorë ushqimorë.
Për banorë të zonës, për familje në nevojë, janë shpërndarë 100 pako me ushqime, si fazë e parë e një projekti humanitar të mbështetur nga IHH me qendër në Holandë.
Ky kontingjent i parë do të pasohet nga të tjerë, pasi organizata IHH me qendër në Holandë do të shpërndajë në total 350 pako ushqimore.
Donatorët do të jenë vetë të pranishëm gjatë Ramazanit në shpërndarjen e ndihmave, ndërsa parashikohen dhe realizime të projekteve të tjera humanitare, si, për shembull, shtrimi i iftareve.
















































