Nga: Fondacioni “ALSAR”
Historia njeh shumë udhëkryqe për njerëz dhe popuj, jeta po ashtu. Shqiptarët vetë jo rrallë kanë qenë buzë greminës, në zgrip të ekzistencës. Dhe çdo herë ia kanë dalë të mbijetojnë, t’i qëndrojnë kohës dhe t’u bëjnë ballë sfidave ekzistenciale.
Dy ngjarje në histori, me rëndësi jetike për shqiptarët, i përmbledh një datë e vetme. Diçka më shumë se një shekull i ndan ato, por elementi kohor nuk ua prish përbashkësinë. 10 qershori i 1878-s dhe ai i 1999-s ishin dritë e parë në tunel, shpresë për një të nesërme më të mirë.
Për sa kohë qenë pjesë e një perandorie në lulëzim, nën strehën e osmanëve, dhe ata patën momente mbrothësie; u sunduan dhe sunduan. E keqja e madhe filloi të trokiste kur ajo perandori filloi të lëkundej e t’i afrohej fundit.
Nën kërcënimin e traktateve dhe të fqinjëve, shqiptarët vendosën të tregojnë veten dhe t’u imponohen vullneteve të fuqive të kohës si një entitet kombëtar. Lidhja e Prizrenit ishte shprehje genuine e vetëdijes kombëtare dhe e identitetit kombëtar brenda kornizës së perandorisë.
“Ishte mbase hera e parë që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë,” sipas një shkrimi të revistës “Diturija” të vitit 1928. Përndryshe, ngjarja e 143 viteve më parë nxiti zgjimin kombëtar, nën presionin e skemave, vendimeve dhe zhvillimeve që rrezikonin t’i copëtonin e t’i çonin shqiptarët drejt eliminimit të plotë.
Delegatët e mbledhur në Prizren nga të gjitha trojet shqiptare për një platformë të përbashkët politike i dhanë jetë Lidhjes. Pozicionet ideologjike kanë patur ndikimin e tyre mbi pasqyrimin e zhvillimeve në atë kuvend; mes të tjerësh, Robert Elsie thotë se pa dyshim që Lidhja e Prizrenit kishte fillimisht mbështetjen e qeverisë osmane. Vendimet, përmbledhur në Kararname, e bëjnë të qartë prirjen e Lidhjes dhe misionin e saj.
Pas më shumë se një njëqind vitesh, një pjesë e kombit, një trup i shkëputur prej dheut mëmë, provoi gjenocidin serb, duke e detyruar NATO-n të ndërhyjë ushtarakisht dhe të bombardojë agresorin e shqiptarëve të Kosovës.
Fushata bombarduese e NATO-s zgjati për 78 ditë në gjysmën e parë të vitit 1999, për të ndalur më 10 qershor me urdhër të Javier Solana-s, sekretarit të përgjithshëm të organizatës më të madhe ushtarake të botës; Serbia kishte pranuar të tërhiqte trupat policore dhe ushtarake nga Kosova. Në të njëjtën ditë u miratua rezoluta 1244 e OKB-së.
Për Kosovën dhe kosovarët kishte nisur epoka e re, e pavarësimit dhe e krijimit të shtetit të ri. Një tjetër 10 qershor ishte bërë vendimtar për shqiptarët. Rrugë e gjatë dhe e vështirë shtrihej përpara, sërish plot me sfida. Entiteti i ri shtetëror kërkonte të tjera sakrifica.
Dy ngjarjet kanë rëndësinë e tyre në historinë tonë, të lidhura qartë me përpjekjen për të mbijetuar e jetuar mes fqinjësh jomiqësorë. Lidhja e Prizrenit përbën një moment kulmor në formësimin e identitetit kombëtar shqiptar dhe të shprehjes së tij. Fundi i bombardimeve të NATO-s mbi objektivat serbe shënon fundin e sundimit dhe gjenocidit serb në Kosovë.