Tag Archives: Urim

Urimi i Fondacionit ALSAR: Gëzuar Fitër Bajramin!

Në këtë ditë feste për besimtarët muslimanë, në këtë ditë të madhe kremtimi, Fondacioni ALSAR përcjell urimet më të mira.

Ky moment final i një muaji sakrifice, devotshmërie dhe adhurimi meriton të festohet si duhet, meriton të përjetohet si një gëzim më se i përligjur.

Përkushtimi ndaj Zotit kapi maja në Ramazan, e bëri krijesën njerëzore më të përulur, më adhuruese, më sfiduese ndaj egos, shumë më të prirur ndaj së mirës dhe shumë më të frenuar ndaj së keqes.

Muajin e agjërimit e bashkëshoqëroi solidariteti njerëzor, braktisja e individuales dhe përqafimi i shoqërores, forcimi i kohezionit social.

Masivizimi i agjërimit i dha tërë muajit një atmosferë feste, ndeshur kudo e prekur në shumë mjedise.

Fitër Bajrami është epilogu i lutjeve të gjata dhe i përshpirtshmërisë kolektive, është festa në mbarim të sakrificave domethënëse dhe vetëshprehëse.

Fondacioni ALSAR, pas një aktiviteti intensiv humanitar njëmujor, të përditshëm, të lodhshëm, frytdhënës dhe frymëzues, uron për të gjithë një Fitër Bajram të gëzuar!

Fondacioni ALSAR u uron të gjithë besimtarëve Ramazan të mbarë, agjërim të lehtë e të pranuar

Me nisjen e ditëve të begata të muajit të madhërueshëm të Ramazanit, Fondacioni ALSAR u përcjell të gjithë besimtarëve urimin për agjërim të lehtë e të pranuar te Zoti i gjithësisë!

Privimet e këtij muaji le t’u shërbejnë agjëruesve për të përmirësuar qenien e tyre, brendinë dhe të jashtmen e tyre, për t’ua zbukuruar shpirtin, zemrën dhe sjelljen!

Le të shndërrohet ky vrapim njëmujor drejt përsosjes dhe kërkimit të fitimit të kënaqësisë së të Plotfuqishmit në një pasion që do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës njeriun!

Ramazani është muaji kur fjala dhe puna e mirë ndeshen shumë më dendur se në çdo pjesë tjetër të vitit, kur përkorësia dhe devotshmëria janë tipare shumë më të dukshme, kur solidariteti dhe vëllazëria triumfojnë ndaj shpirtvogëlsisë, egos së sëmurë dhe meskinitetit.

Ky muaj i festivalit të së mirës i sjelltë begati çdo krijese njerëzore! Adhurim e agjërim të sinqertë për çdokënd!

ALSAR i uron çdo besimtari, çdo agjëruesi, që të përjetojë gjatë këtij Ramazani momente të përshpirtshmërisë së skajshme, gjurmëlënëse në të ardhmen e tij!

Qoftë i mbarë ky Ramazan! Qofshin të pranuara adhurimet tona! Qoftë i pranuar te Zoti agjërimi ynë!

Fondacioni ALSAR u uron nxënësve dhe mësuesve një vit të mbarë shkollor

Të vegjël e të rinj, djem e vajza, u kanë dhënë fund pushimeve të verës dhe kanë vërshuar sot në objektet e tyre shkollore. Mbërrijnë në shkollë me energji të reja dhe me synimin e përhershëm për të marrë dije, për t’u arsimuar e për t’u bërë të dobishëm për familjen dhe shoqërinë.

Më të vegjlit ulen për herë të parë në bankat e shkollës, provojnë për herë të parë ndjesinë e qenies në një klasë, të ndjekjes së mësimit, e të bërjes së detyrave në kohën që deri dje e shfrytëzonin për të luajtur.

Për më të rriturit është një rinisje e ecjes në rrugën e shkollimit, me ambicie të konsoliduara për shumë prej tyre, e me objektiva të qarta për të ardhmen.

Përjetim i veçantë është sot dhe për mësuesit dhe mësueset, këta bartës të detyrës fisnike të përcjelljes së dijes te nxënësit.

Fondacioni ALSAR u uron një vit të mbarë shkollor të gjithë nxënësve, në mbarë vendin tonë. I njëjti urim për mbarësi në këtë ditë feste për shkollat është dhe për mësuesit e mësueset.

Si një mbështetës i palodhur i përpjekjeve për shkollim të çdo individi të shoqërisë sonë, Fondacioni ALSAR përsërit angazhimin e pandryshueshëm për kontribut të shumanshëm në fushën e arsimit.

soap 2 day