Në dy ditë, më 5 dhe 6 nëntor, është mbajtur në Beyoğlu të Stambollit, në Shtëpinë e Mësuesit, “Takimi i Punës për Edukimin Fetar në Vendet e Ballkanit”, i organizuar nga Drejtoria e Edukimit Fetar, një institucion i lidhur me Ministrinë e Arsimit Kombëtar në Turqi.
Të ftuar në takimin e punës ka patur nga Maqedonia e Veriut, nga Kosova dhe Shqipëria. Takimin e ka kryesuar zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Edukimit Fetar, z. Ömer Akmanşen. I pranishëm në takim ishte dhe atasheu për Arsimin pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Metin Bulut.
I ftuar në takim, Fondacioni ALSAR është përfaqësuar nga një i deleguar, z. Engin Delipoyraz. Në fjalën e mbajtur prej tij në ditën e parë, pasdite, ai është paraqitur si përfaqësues i Fondacionit ALSAR dhe ka shpjeguar pamundësinë e kryetarit, z. Mehdi Gurra, për të marrë pjesë, i detyruar të kthehet në Shqipëri për shkak të axhendës së ngjeshur.
Ai ka bërë fillimisht të ditur se Ministria e Arsimit në Shqipëri nuk ka program mësimor fetar për shkollat 9-vjeçare. Përfaqësuesi i ALSAR-it ka bërë një përshkrim kronologjik të historikut fetar të më shumë se një shekulli në vendin tonë. Në lidhje me edukimin fetar, z. Engin Delipoyraz ka sjellë përvojën e viteve 2007 dhe 2008, të debatit publik mbi dhënien e mesimit fetar në shkolla, dhe nismën e ALSAR-it, të marrjes së programit shkollor të Ministrisë së Arsimit të Bosnjë-Hercegovinës, sigurimin e së drejtës së autorit, përkthimin dhe përdorimin në kurset e tij dhe në klasat nga e para në të pestën të medresesë në Shkodër.
Folësi në emër të Fondacionit ALSAR ka treguar se Kisha Ortodokse në Shqipëri do të propozonte në atë kohë një sipërmarrje në aspektin e teksteve shkollore fetare nga vetë komunitetet fetare, por ky propozim nuk do të shihej me entuziazëm nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Kisha Katolike.
- Delipoyraz përmendi debatin e një dekade më parë të nisur nga kryeministri shqiptar, për të vijuar me rrëfimin e marrjes nga Fondacioni ALSAR prej Bashkësisë Islame të Kroacisë të lëndës së mësim-besimit të përdorur në Kroaci dhe të njohur nga Ministria e Arsimit e atij vendi (këto tekste janë të miratuara nga Karta e Bolonjës dhe Komisioni Arsimor i BE-së), për punën përkthyese, redaktuese dhe botuese në zhvillim për përgatitjen për nxënësit në Shqipëri, e të planeve të ALSAR-it për një organizim në Tiranë në majin e vitit të ardhshëm ku tema do të jetë rëndësia e mësim-besimit në shoqërinë shqiptare.
Përfaqësuesi i ALSAR-it i ka dhuruar më pas zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë së Edukimit Fetar, z. Ömer Akmanşen, botimin me raportin e veprimtarive të Fondacionit ALSAR për vitin 2025. Botime në gjuhën turke të Fondacionit ALSAR janë dhuruar gjithashtu për zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.
Kumtesa e mbajtur prej tij më pas në turqisht në takimin e punës vijon si më poshtë:
“Edukimi Fetar në Shqipëri: Zhvillimet Historike, Roli i Shoqërisë Civile dhe Perspektivat e Integrimit Arsimor
Abstrakt
Ky punim analizon trajektoren komplekse të edukimit fetar në Shqipëri, një fushë që pasqyron ngjarjet historike, transformimet politike dhe debatet ideologjike të vendit. Duke kaluar nga një traditë e rrënjosur, në kalimin përmes shtypjes sistematike gjatë regjimit komunist, dhe më pas, një rilindje sfiduese në periudhën post-komuniste, rrugëtimi i këtij sektori dëshmon qëndresën, adaptimin dhe kërkimin e identitetit. Analiza përqendrohet në tri dimensione kyçe: zhvillimet historike të arsimit fetar, me theks të veçantë në atë islam; kontributin e shoqërisë civile në rindërtimin dhe modernizimin e tij; dhe perspektivat dhe sfidat e integrimit të dimensionit fetar në sistemin arsimor publik. Punimi synon të dokumentojë zhvillimet kryesore, të ekzaminojë rolin kritik të aktorëve joshtetërorë dhe të ofrojë rekomandime për integrimin e ardhshëm, duke e vendosur kontekstin shqiptar në traditën e tolerancës fetare dhe në atë evropiane.
Hyrje
Edukimi fetar në Shqipëri paraqet një nga fushat më komplekse dhe dinamike të jetës shoqërore, duke pasqyruar ngjarjet historike, transformimet politike dhe debatet ideologjike që kanë përcaktuar vendin. Nga një traditë e thellë dhe e rrënjosur, kalimi në një shtypje totale gjatë regjimit komunist, dhe më pas, një rilindje e vështirë në periudhën post-komuniste, rrugëtimi i tij është një dëshmi e qëndresës, adaptimit dhe kërkimit të identitetit. Kjo analizë do të shqyrtojë tri dimensionet kyçe të këtij procesi: zhvillimet historike të arsimit fetar, veçanërisht atij islam; kontributin e shoqërisë civile në rindërtimin dhe modernizimin e tij; dhe perspektivat dhe sfidat e integrimit të dimensionit fetar në sistemin arsimor publik në kontekstin e Shqipërisë moderne dhe evropiane.
Në këtë kontekst, kjo kumtesë synon të:
- Analizojë zhvillimet kryesore të edukimit fetar, veçanërisht islam, nëpër tre sisteme politike të ndryshme.
- Ekzaminojë rolin kritik të shoqërisë civile dhe të komuniteteve fetare në ringjalljen dhe rimodelimin e këtij edukimi pas viteve ’90.
- Identifikojë sfidat strukturore dhe ofrojë perspektiva për integrimin e ardhshëm, duke marrë parasysh kontekstin evropian dhe traditën unike të tolerancës fetare në Shqipëri.
- Zhvillimet Historike: Nga Pavarësia tek Ateizmi Shtetëror dhe Rilindja
Historia e arsimit fetar në Shqipëri është e lidhur ngushtë me formimin e shtetit dhe transformimet e tij ideologjike.
1.1. Periudha 1912–1944: Përshtatja dhe Modernizimi në Shtetin Kombëtar
Shpallja e Pavarësisë më 1912 përbën një moment historik të rëndësishëm. Shteti i ri, i ndërtuar mbi parimet e laicizmit dhe unitetit kombëtar, kërkoi riorganizimin e jetës fetare, duke e shkëputur atë nga autoriteti osman. Figura si Vehbi Dibra luajtën një rol kyç në institucionalizimin e Komunitetit Mysliman dhe në reformimin e sistemit gjyqësor fetar.
Në këtë periudhë, arsimi fetar u përfshi në shkollat shtetërore. Gjatë pushtimit Austro-Hungarez dhe më pas me vendimet e Kongresit të Lushnjës (1920), lënda e besimit fetar u bë pjesë e kurrikulës, me orë mësimore të caktuara për ciklin fillor dhe kontroll nga Ministria e Arsimit. Gjatë viteve ’20, kleri fetar kërkoi të luante një rol të drejtpërdrejtë në edukimin e brezit të ri, krahas shtetit dhe familjes. Sipas të dhënave arkivore në vitin 1921, nga rreth 400 shkolla publike, vetëm në 27 nuk zhvillohej mësimi i besimit. Në një organ mediatik të vitit 1922, shprehej qartë synimi i klerit për të ndikuar në formimin e kulturës së re: “…gjurmë për gjurmë me shtetin dhe familjen do të përcjellim shoqërinë
në prodhimin e kulturës.” Megjithatë, në mars të vitit 1924, Ministria e Arsimit ndërpreu fondet për mësuesit e fesë, çka shkaktoi reagime të forta nga qarqet fetare.
Një zhvillim thelbësor ishte përpjekja për të reformuar arsimin islam tradicional. Deri në vitet ’20, medresetë funksiononin pa një qendër të unifikuar, me plan-programe të vjetruara. Për të kapërcyer këtë situatë, në Kongresin e Parë të Myslimanëve Shqiptarë (1923) u vendos themelimi i Medresesë së Naltë në Tiranë. Ky institucion, ndonëse me burime modeste, përfaqësonte një hap drejt modernizimit, duke përfshirë lëndë të kulturës së përgjithshme përkrah atyre fetare. Në vitin 1929, me vendim të Kongresit të Tretë të Myslimanëve, u mbyllën të gjitha medresetë e tjera në vend dhe Medreseja e Tiranës mori statusin e Medresesë së Përgjithshme, duke u kthyer në qendrën unike të formimit të kuadrove të Komunitetit Mysliman deri në vitin 1967. Kjo periudhë përbën një shembull të përpjekjes për të sinkronizuar identitetin fetar me atë kombëtar në një shtet laik.
1.2. Periudha 1945–1967: Shtypja dhe Shuarja e Plotë nën Regjimin Komunist
Me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, nisi faza më e vështirë dhe shtypëse për fenë dhe arsimin fetar. Përmes një strategjie djallëzore, shteti fillimisht dha sinjale të rreme për respektimin e lirisë së besimit, por shumë shpejt nisi një ofensivë sistematike. Kushtetuta e vitit 1946, megjithëse parashikonte formalisht lirinë e besimit, u shoqërua me ligje si Ligji nr. 743 “Mbi komunitetet fetare”, i cili i vuri ato nën kontroll total shtetëror.
Feja u konsiderua e huaj dhe e rrezikshme për projektin e “njeriut të ri socialist”. Më 1946, arsimi fetar u ndalua zyrtarisht në shkollat shtetërore. Medresetë, si Medreseja e Naltë e Tiranës, u vunë nën presion të vazhdueshëm, dhe shumë klerikë dhe mësues u arrestuan. Strategjia shtetërore për çrrënjosjen e besimit ishte shumëkëndëshe: përfshinte shtetëzimin e pronave, miratimin e ligjesh restriktiv, pengesa administrative, dhunë sistematike kundër klerit dhe fushata propagandistike që paraqitnin fenë si një pengesë për progresin.
Kjo fushatë arriti kulmin në vitin 1967, kur Shqipëria u shpall “shteti i parë ateist në botë”. Të gjitha institucionet fetare u mbyllën, objektet e kultit u shkatërruan dhe çdo formë edukimi fetar u ndalua për më shumë se dy dekada, duke ndërprerë një traditë shekullore.
1.3. Periudha 1991–2025: Rindërtimi, Konsolidimi dhe Sfidat e Tranzicionit
Rënia e regjimit komunist në vitin 1991 hapi rrugën për rilindjen e jetës fetare. Medreseja e Tiranës ishte e para që u rihap, e ndjekur më pas nga medrese të tjera në Shkodër, Durrës, Kavajë etj. Zhvillimi i arsimit fetar islam në këtë periudhë mund të ndahet në tri etapa:
- 1991–2000 (Rindërtimi fillestar): Karakterizuar nga entuziazëm, por edhe nga vështirësi të mëdha. Mungesa e infrastrukturës, e kuadrove të kualifikuara dhe e një kornize ligjore të qartë bënë që kjo të ishte një fazë mbijetese dhe themelimi.
- 2001–2010 (Konsolidimi institucional): Një fazë e profesionalizimit. Programet u standardizuan, metodologjitë mësimore u modernizuan dhe medresetë fituan një imazh më të besueshëm publik, duke u licencuar gradualisht nga shteti.
- 2010–2025 (Fragmentimi dhe rënia progresive): Fatkeqësisht, kjo periudhë shënon një regres për disa institucione. Menaxhimi joefikas, largimi nga misioni fillestar edukativ dhe transformimi i disa medreseve në struktura me karakter fitimprurës çoi në rënien e interesit komunitar dhe në mbylljen gradualisht të disa prej tyre.
Kjo rënie e fundit lidhet me kriza institucionale, siç ishte ndikimi i Levizjes Gyleniste në KMSH, dhe mungesa e një vizioni strategjik. Si rezultat, sot vetëm katër medrese (Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan) janë aktive dhe të licencuara, nga të cilat vetëm dy (Shkodër dhe Durrës) konsiderohen se i përkasin linjes tradicionale dhe identitare islame. Megjithatë, në këtë kontekst sfidues, institucionet që kanë ruajtur misionin e tyre kanë arritur suksese të konsiderueshme. Një shembull i shquar është Medreseja Haxhi “Sheh Shamia” në Shkodër, e cila është vlerësuar maksimalisht për performancën e saj, duke ofruar një sistem të integruar arsimor dhe duke qëndruar si një model i qëndrueshmërisë dhe cilësisë në peizazhin e arsimit fetar.
- Roli i Shoqërisë Civile: Nga Rindërtimi tek Modernizimi dhe Inovacioni
Në mungesë të një financimi shtetëror të mjaftueshëm dhe përballë sfidave të tranzicionit, shoqëria civile ka luajtur një rol të padiskutueshëm në mbijetesën dhe zhvillimin e arsimit fetar.
2.1. Komuniteti Mysliman dhe Aktorët e Tjerë të Shoqërisë Civile
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) ka qenë aktori kryesor institucional, që ka koordinuar rihapjen e medreseve, hartimin e programeve mësimore dhe përfaqësimin e tyre në marrëdhëniet me shtetin. Megjithatë, pa mbështetjen e “fondacioneve jofitimprurëse” si “Istanbul” etj, që kanë siguruar mbështetje logjistike, financiare dhe pedagogjike, funksionimi i tyre do të ishte pothuajse i pamundur.
Në procesin e zhvillimit të debatit për përfshirjen e edukimit fetar në sistemin arsimor shqiptar, organizatat fetare dhe shoqëria civile kanë luajtur një rol të rëndësishëm si faktorë ndërmjetësues mes institucioneve publike dhe komuniteteve të besimit. Këta aktorë kanë promovuar vlera thelbësore për shoqërinë pluraliste shqiptare – si toleranca, mirëkuptimi, bashkëjetesa dhe respekti për diversitetin fetar e kulturor – duke ndihmuar në krijimin e një klime konstruktive për diskutimin mbi vendin e fesë në edukimin e brezit të ri.
2.2. Roli i Veçantë dhe Kontributi i Fondacionit ALSAR
Në spektrin e shoqërisë civile,modestisht mund te permendim se Fondacioni ALSAR dallohet si një aktor me vizion dhe ndikim të veçantë. Kontributi i tij shtrihet në disa drejtime strategjike. Fondacioni ka dhënë një kontribut shumëdimensional, duke organizuar kurse edukative fetare dhe morale me karakter kulturor, trajnuar kuadro arsimore, ofruar bursa për studentët e teologjisë dhe, me rëndësi të veçantë, duke përkthyer dhe botuar tekste mësimore moderne.
Në përgjigje të zhvillimeve aktuale, Fondacioni ALSAR ka realizuar një projekt të rëndësishëm për përkthimin dhe botimin në gjuhën shqipe të teksteve mësimore të edukimit islam, të modelit të suksesshëm të Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të Kroacisë. Këto tekste, të destinuara për fëmijët 7–18 vjeç, janë hartuar në përputhje me parimet e Kartës së Universitetit të Bolonjës dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ajo ndërton aspektet e edukimit tradicional islam me metodologjitë pedagogjike bashkëkohore, duke ofruar një model të avancuar të edukimit fetar në rajonin e Ballkanit.
Roli i ALSAR dhe i organizatave të tjera të shoqërisë civile ka qenë thelbësor për të mbushur boshllëkun e lënë nga shteti, duke ofruar modele inovative dhe duke ngritur standardet e arsimit fetar dhe etik në vend. Nevojiten ende me shume kontribute ne kete drejtim duke i bashkërenduar me Ministrinë e Arsimit dhe komunitetet fetare me synimin per te krijuar nje shembull të suksesshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional në shërbim të edukimit etik, moral dhe qytetar të brezit të ri shqiptar.
- Perspektivat e Integrimit Arsimor: Debati, Sfidat dhe Modelet Evropiane
Çështja e integrimit të edukimit fetar në shkollat publike shqiptare mbetet një debat i hapur dhe i rëndësishëm, i lidhur ngushtë me identitetin kombëtar dhe vlerat demokratike.
3.1. Historiku dhe Debati Aktual
Edukimi fetar në shkollat publike shqiptare përfaqëson një aspekt kompleks dhe shpesh debatues. Pas shpalljes së Pavarësisë, lënda e besimit fetar ishte pjesë e arsimit publik, por u ndalua plotësisht gjatë diktaturës komuniste. Me ndryshimet politike dhe demokratizimin e vendit, çështja e rikthimit të edukimit fetar u shfaq si një domosdoshmëri sociale dhe kulturore.Debati publik dhe politik mbi futjen e lëndës së besimeve në shkollat publike Në fillim të viteve 1990, komunitetet fetare (mysliman, bektashi, ortodoks, katolik, protestant) kërkuan përfshirjen e lëndës së edukimit fetar në shkolla. Por, Ministria e Arsimit vendosi që kjo lëndë të mos jetë pjesë e detyrueshme e kurrikulës, duke ruajtur parimin e arsimit laik, sipas Kushtetutës (neni 10).
Ky debat u intensifikua në vitin 2016, kur qeveria shqiptare dhe Ministria e Arsimit filluan të integronin në kurrikulën e arsimit parauniversitar “dimensionin fetar” si pjesë të edukimit për qytetari demokratike. Ky integrim synon të fuqizojë nxënësit me njohuri, aftësi dhe qëndrime që ndihmojnë në pranimin dhe respektimin e diversitetit fetar dhe kulturor, duke theksuar rëndësinë e edukimit për të luftuar paragjykimet, intolerancën dhe konfliktet e mundshme ndërfetare.
Qasja e propozuar nuk është ajo “konfesionale” (mësimi i një feje të caktuar), por ajo “informativo-kulturore”. Synimi nuk është predikimi, por dhënia e njohurive mbi historinë e feve, vlerat morale universale, trashëgiminë fetare shqiptare dhe rëndësia e dialogut ndërfetar. Ky model synon të luftojë paragjykimet dhe të forcojë bashkëjetesën në një shoqëri gjithnjë e më pluraliste. Sipas Ministrisë së Arsimit, edukimi fetar bashkëjeton me dimensionet e tjera të edukimit qytetar dhe përbën një element kyç për zhvillimin e një shoqërie të hapur, pluraliste dhe demokratike.
3.2. Sfidat kryesore
Zbatimi i këtij modeli përballen me disa sfida të mëdha:
- Mungesa e një kornize ligjore të qartë që të rregullojë në mënyrë të qartë statusin e kësaj lënde.
- Mungesa e programeve dhe teksteve standarde të miratuara nga MAS.
- Mungesa e kuadrove të trajnuara specifikisht për mësimin e një lënde të tillë shumëkulturore.
- Rezerva dhe opinionet e ndryshme brenda komuniteteve fetare dhe shoqërisë civile, duke përfshirë shqetësime për ruajtjen e karakterit laik të shtetit.
3.3. Modelet Evropiane si Referencë
Shqipëria mund të frymëzohet nga modele të ndryshme evropiane:
- Gjermania dhe Austria: Ofrojnë mësim fetar të organizuar në bashkëpunim me komunitetet fetare.
- Kroacia dhe Bosnje Hercegovina: Ofrojnë gjithashtu mësim fetar të organizuar në bashkëpunim me komunitetet fetare.
- Franca: Ndjek modelin strikt laik, duke përjashtuar fenë nga shkollat publike.
Shqipëria po tenton të ndjekë një rrugë të mesme, të ngjashme me atë të Bosnjës dhe Kroacisë, duke promovuar një model informativ dhe edukativ që forcon qytetarinë demokratike dhe respektin për diversitet. Ky model synon të ndërtojë një dialog konstruktiv ndërmjet besimeve të ndryshme dhe të promovojë mirëkuptimin dhe tolerancën. Përmes tij, nxënësit mësojnë vlera universale të drejtësisë, mëshirës, dashurisë dhe bashkëpunimit, të cilat janë themeli i një shoqërie të shëndetshme dhe të integruar.
- Platforma e zhvillimit dhe perspektivat e edukimit fetar në Shqipëri
Platforma e zhvillimit të edukimit fetar
Rritja e ndikimit të edukimit fetar në shoqërinë shqiptare kërkon ndërtimin e një platforme të qëndrueshme, e cila të ndërthurë trashëgiminë historike me nevojat bashkëkohore të formimit qytetar dhe moral. Kjo platformë duhet të shërbejë si një bazë strategjike për zhvillimin e një edukimi fetar gjithëpërfshirës, të hapur dhe në harmoni me realitetin arsimor të vendit. Në këtë kuadër, mund të evidentohen disa drejtime prioritare:
4.1 Masivizimi i kurseve fetare në xhami dhe qendra komunitare
Zgjerimi i rrjetit të kurseve për mësimin e bazave të fesë islame, etikës dhe kulturës shpirtërore përbën një domosdoshmëri për përfshirjen e brezit të ri në procesin e edukimit moral. Këto kurse, të organizuara në mënyrë të strukturuar dhe me mbështetje nga komunitetet vendore, mund të kthehen në instrumenta të rëndësishëm të formimit qytetar.
4.2 Botimi i literaturës edukative islame
Nevoja për literaturë të përditësuar, tërheqëse dhe të përshtatur me realitetin shqiptar është një faktor kyç për suksesin e edukimit fetar. Botimi i manualeve, teksteve mësimore dhe materialeve ndihmëse do të ndihmonte në standardizimin e procesit arsimor dhe në ruajtjen e një gjuhe bashkëkohore e përfshirëse në komunikimin fetar.
4.3 Krijimi i bibliotekave islame pranë xhamive dhe qendrave kulturore
Bibliotekat islame, si hapësira dijesh dhe reflektimi, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin intelektual dhe shpirtëror të komuniteteve lokale. Ato do të shërbenin si qendra studimore dhe informuese për të rinjtë dhe studiuesit e interesuar në fushën e dijes islame dhe kulturës shqiptare me frymë fetare.
4.4 Ngritja e mediave edukative islame
Në epokën e informacionit dhe të komunikimit digjital, krijimi i një media edukative islame (televizive apo online) do të mundësonte përhapjen e vlerave morale dhe kulturore në mënyrë më të gjerë. Programe të posaçme për fëmijë, të rinj dhe familje do të shërbenin për ndërtimin e një mjedisi mediatik me ndikim pozitiv në formimin shpirtëror të shoqërisë.
4.5 Botimi i setit të literaturës familjare islame
Një koleksion librash dhe materialesh edukative për familjen shqiptare do të forconte bazat morale dhe shpirtërore të jetës familjare, duke e bërë edukimin fetar pjesë të natyrshme të përditshmërisë. Kjo do të ndihmonte në ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet traditës dhe modernitetit.
- Perspektivat dhe sfidat e integrimit
Integrimi i edukimit fetar në realitetin arsimor shqiptar kërkon një qasje gjithëpërfshirëse që të ndërthurë përvojën e institucioneve fetare, rolin e organizatave të shoqërisë civile dhe mbështetjen e institucioneve publike.
Në kushtet e pluralizmit bashkëkohor, ku ndikimet kulturore dhe ideologjike janë të shumta, nevoja për një edukim të bazuar mbi parime morale dhe vlera shpirtërore është më urgjente se kurrë.
Edukimi fetar, përveç dimensionit të tij formues dhe moral, ka edhe një funksion mbrojtës për rininë dhe shoqërinë shqiptare. Ai ndihmon në vetëdijesimin kritik dhe etik të brezit të ri përballë axhendave ideologjike globale që shpesh synojnë relativizimin moral, shpërbërjen e familjes tradicionale dhe konfuzionin gjinor. Përmes mësimdhënies së vlerave të qarta mbi dinjitetin njerëzor, rolin e familjes dhe barazinë shpirtërore ndërmjet gjinive, arsimi fetar kontribuon në ruajtjen e shëndetit moral dhe social të komunitetit.
Në këtë drejtim, veprimtaria e fondacioneve si ALSAR, e cila promovon dijen, kulturën dhe humanizmin, përbën një model konkret të bashkërendimit të edukimit fetar me zhvillimin arsimor modern. Këto nisma kontribuojnë në forcimin e identitetit kombëtar dhe në ruajtjen e harmonisë ndërfetare, duke ndihmuar në formimin e një qytetarie aktive dhe të ndërgjegjshme.
- Përfundime
Edukimi fetar në Shqipëri mbetet një komponent i pazëvendësueshëm i zhvillimit të qëndrueshëm shoqëror dhe kulturor. Nga periudha e ndalimit të fesë deri në kohën e sotme të lirisë dhe pluralizmit fetar, ai dëshmon aftësinë e shoqërisë shqiptare për të ruajtur vlerat e saj shpirtërore dhe për t’i përshtatur ato me kërkesat e kohës moderne.
Në një realitet global të karakterizuar nga kriza vlerash, materializëm dhe shpërqendrim kulturor, rikthimi i edukimit fetar si pjesë e pandashme e procesit arsimor dhe jetës publike është më shumë se një nevojë – është një domosdoshmëri kombëtare.
Ky proces do të shërbejë jo vetëm për ruajtjen e identitetit dhe harmonisë ndërfetare, por edhe për mbrojtjen e familjes, moralit publik dhe strukturës shpirtërore të shoqërisë shqiptare, duke ndërtuar breza me vetëdije të plotë etike, qytetare dhe shpirtërore.
Amaneti !
Rrugëtimi i edukimit fetar në Shqipëri, që kemi analizuar, nuk është thjesht një kronikë historike; ai është një pasqyrë e shpirtit të një kombi, një barometër i fitoreve dhe humbjeve të tij, një dëshmi e qëndresës së tij ndaj shkatërrimit. Ai na tregon se identiteti nuk është diçka statike, por një betejë e përhershme midis kujtesës dhe harrimit, midis ndërtimit dhe copëtimit, midis dritës së diturisë dhe errësirës së injorancës.
Në këtë kontekst, fryma e një heroi të largët, siç është Mehmet Akifi, na flet me forcë. Edhe pse ai nuk i përjetoi tragjeditë e shekullit tonë, ai do të njihte menjëherë aromën e shkatërrimit dhe të tradhtisë. Do të shihte se, ashtu si në Perandorinë Osmane që ai denoiçoi, edhe në tokën tonë, “ata që pretendojnë se punojnë për popullin, kanë mashtruar; ata që mbanin pushtet e shfrytëzonin për interesa personale, kanë shkatërruar gjithçka.” Ai do të ndiente dhimbjen e një populli të cilit iu shitën “prona, kultura dhe nderi” dhe iu shtyp besimi dhe shpresa nën peshën e ideologjive dhe korrupsionit.
Zëri i tij do të ishte një amanet që pasqyron saktësisht sfidat që kemi dokumentuar: një thirrje drejtësie, ndershmërie dhe përgjegjësie. Ai do të na kujtonte se rënia e medreseve, fragmentimi i komuniteteve dhe zbehja e vlerave morale nuk janë thjesht dësime institucionale, por simptoma e një sëmundjeje më të thellë – humbja e busullës morale, shitja e të shenjtës për profane.
Prandaj, përfundimi i kësaj analize nuk mund të jetë vetëm një përmbledhje, por një thirrje vepruese. Amaneti për ringritjen e vlerave arsimore e fetare të shqiptarëve është një përgjegjësi kolektive. Ai i drejtohet:
- Inteligjencës dhe arsimtarëve: Të kultivojnë një arsimim që formon karaktere, jo vetëm profesionistë; që mëson historinë për të mos përsëritur gabimet, dhe që nxit mendimin kritik për t’u rezistuar manipulimeve.
- Prijësve fetarë: Të kthehen te misioni i tyre fillestar, duke i shërbyer besimtarëve me transparencë, duke e shndërruar arsimin fetar në një urë ndërtuese midis individit dhe shoqërisë, dhe jo në një mur ndarës.
- Shtetit dhe shoqërisë civile: Të ndërtojnë një kornizë ligjore dhe sociale që vlerëson edukimin etik dhe moral si themel të qytetarisë demokratike, duke e bërë tolerancën dhe dialogun një realitet të jetesës së përditshme.
Mehmet Akifi nuk është vetëm një poet i një kohe të largët; ai është ndërgjegjja e përhershme që na pyet: Çfarë do të lini pas jush? Një trashëgimi tradhëtie apo një amanet ringritjeje? Detyra jonë është të ndryshojmë dhimbjen e së kaluarës në forcën e së ardhmes. Vetëm duke e kuptuar thellësisht kërkesën e kohës për bashkim dhe ndërgjegje, duke mos shitur asnjëherë të shenjtën për profanen, ne mund të ndërtojmë një Shqipëri ku arsimi dhe feja nuk janë më fusha beteje, por shtylla të një identiteti të fortë, të lirë dhe të denjë për trashëgim.
Perspektiva e integrimit të një edukimi fetar të tipit informativ-kulturor në shkollat publike është sfida kryesore e ardhshme, duke kërkuar një ekuilibrim delikat midis laicitetit shtetëror dhe nevojës për edukim moral dhe ndërfetar. Suksesi i këtij procesi do të varet nga aftësia e shtetit, komuniteteve fetare dhe shoqërisë civile për të bashkëpunuar në ndërtimin e një modeli që respekton parimet kushtetuese, por nuk e neglizgon dimensionin shpirtëror dhe kulturor, i cili është pjesë integrale e identitetit shqiptar dhe një aset i çmuar për një shoqëri demokratike dhe të hapur.”