Në qytetin e Korçës u mbajt këtë të enjte, më 18 prill, simpoziumi me temë, “Dy personalitete të shquara shqiptare në Perandorinë Osmane, Iljaz Bej Mirahori dhe Koçi Bej”.
Me një aktivitet të vazhdueshëm kulturor, Fondacioni ALSAR e organizoi simpoziumin në bashkëpunim me Universitetin e Stambollit, Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës, Shtëpinë Botuese Logos-A, me qendër në Shkup, dhe Shoqatën e Vakëfeve në Korçë.
Zhvillimin e simpoziumit e mbështeti TİKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.
Me praninë e tyre e nderuan simpoziumin dy kumtuesit nga Turqia, nga Universiteti i Stambollit, përfaqësues të bashkisë së qytetit, përfaqësues nga Mitropolia e Korçës, kryetari i Bashkisë së Maliqit, z. Gëzim Topçiu, studiues dhe pedagogë, përfaqësues të familjes së mirënjohur të Mutevelinjve, imamë dhe besimtarë, studentë dhe qytetarë.
Simpoziumin e përshëndeti atasheu për Arsimin pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në vendin tonë, z. Metin Bulut.
Me një përshëndetje iu drejtua të pranishmëve në simpozium dhe kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, z. Erjon Nexhipi.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra. Ai u uroi fillimisht mirëseardhjen pjesëmarrësve në emër të tij dhe të bashkorganizatorëve, për të vijuar më tej:
“Në epokën e kulturës popullore, të internetit, të informacionit pa filtër, në një periudhë të vlerave në përmbysje dhe të rrezikut të shembjes së kolonave që e mbajnë në këmbë shoqërinë, kërcënimi i ardhur kujtesës kombëtare nuk është një imagjinatë e pabazë, por një realitet ndaj të cilit duhet reaguar.
Teksa themelet dobësohen dhe paralajmërojnë rrënimin e strukturës ku strehohet një trashëgimi e tërë, me shembujt e ndritur të së shkuarës, të figurave shumëdimensionale dhe me ndikime të jashtëzakonshme dhe në kufij perandorakë, që harrohen dhe zëvendësohen plotësisht në mendjen e një rinie të kequshqyer me idhuj të sportit a muzikës, ka një pjesë të shoqërisë që duhet ta thotë fjalën e saj.
Ndriçimi i imazheve të zbehura, nxjerrja në dritë e emrave në mjegull, i punëve dhe veprave të lëna nga energji të harxhuara denjësisht, rivënia në dukje e njerëzve me veprimtari masive, nuk është një ushtrim fakultativ. Ky aktivitet vlen të shihet si detyrë, si aktivizim fisnik në aspekt të vlerave të vërteta.
Nisma të këtilla nuk mjaftojnë nganjëherë nëse nuk shoqërohen me bashkëpunime për zgjerimin e diapazonit tematikor dhe përplotësimin në terma analizues. Vetëmjaftueshmëria, përveçse nuk do të sillte dobi, edhe do të cenonte tërësinë, pavarësisht dëshirës së mirë.
Zonja dhe zotërinj!
Korça vjen në vëmendje sot në publik si një qytet që fton në fundjavë për pushime, me bukurinë, rregullin, pastërtinë dhe ushqimin. Por kjo nuk thotë asgjë mbi të shkuarën e saj, mbi njerëzit që i dhanë jetë qytetit dhe e lidhën emrin e tyre me të.
Perandoria Osmane, strehë e aq shumë shqiptarëve në majat e qeverisjes, pati në gjirin e vet dhe dy figura emblematike me origjinë nga Korça. Iljaz Bej Mirahori dhe Koçi Bej ishin mes gjurmëlënësve në perandorinë qindravjeçare osmane.
Ky simpozium u dedikohet këtyre dy personaliteteve, kontributeve të tyre, vendit të tyre në historinë e këtij qyteti. Fondacioni ALSAR e organizon atë së bashku me Universitetin e Stambollit, Universitetin “Fan S. Noli”, Shtëpinë Botuese Logos-A, me qendër në Shkup, dhe Shoqatën e Vakëfeve në Korçë.
Për ALSAR-in është sipërmarrja kulturore e radhës, si një ent joshtetëror me dedikim të pandërprerë në fushën e kulturës dhe të ruajtjes së trashëgimisë kombëtare. Nëpërmjet botimeve, konferencave dhe simpoziumeve, ne synojmë vazhdimisht të mbajmë gjallë të shkuarën tonë të pasur dhe t’i sjellim shoqërisë të dhëna të reja, të bazuara në dokumente të pazbardhura më parë.
Organizimi në Korçë i simpoziumit ka sigurisht domethënie, sepse na jep mundësi të flasim në vendin e duhur për njerëzit e duhur. Do të ishte paksa e pakuptimtë ta zhvillonim atë diku tjetër.
Trajtimi i dy personaliteteve, Iljaz Bej Mirahorit dhe Koçi Beut, i ka sjellë kumtuesit që ju paraqiten sot dhe në shtjellime temash që në thelb i shërbejnë plotësisë së simpoziumit. Përmes figurës së tyre, ne shohim Korçën dhe zhvillimin e saj.
Vlerësues të simpoziumit me praninë tuaj!
Shenjë e rëndësisë dhe vlerësimit që pati për kohën Iljaz Bej Mirahori është në Stamboll një xhami me emrin e tij.
E periudhës së sulltan Bajazitit II, ajo i është nënshtruar më në fund një restaurimi të nisur vitin e kaluar.
Të njëjtin emër mban dhe një rrugë në Jedikule, duke e përkujtuar në mënyrë të përhershme atë ushtarak aktiv dhe në marrjen e qytetit në vitin 1453.
I kthyer në vendlindje në fundin e një karriere të gjatë në zemër të perandorisë, Iljaz Bej Mirahori i dha formë urbane bërthamës së qytetit të sotëm. Mytevelinjtë, prej nga kemi këtu dhe një kumtuese, janë dëshmi e trashëgimisë së lënë nga ai.
Më vonë në historinë osmane do të shfaqej Koçi Bej, një tjetër individ i përmasave të mëdha. Ai do të dallohej për angazhimin reformator në shekullin e 17-të, aq sa do të quhej “Monteskjeu turk”.
Koçi Bej u shkroi risale dy sulltanëve, Muratit IV dhe Ibrahimit, në lidhje me politikën drejtuese të shtetit. Ai analizoi me guxim dhe qartësi në traktatet, apo raportet, strukturën administrative osmane dhe parashtroi rrugëzgjidhje për problemet e konstatuara.
Diagnostifikues i sistemit dhe strukturës shtetërore, Koçi Bej përfshiu në pikat e prishjes ryshfetin dhe favorizimet, paaftësinë e nëpunësve dhe interesat personale. I vetmi person që i hyri riformatimit të strukturës politiko-administrative të Perandorisë Osmane theksonte se shteti përsosej vetëm atëherë kur puna i jepej njeriut kompetent për të, se interesat e përgjithshme duhej të ishin mbi interesat personale, se ishte me rëndësi parimi i kontrollit reciprok, të shtetit dhe popullit, se centralizimi nuk kishte sjellë vetëm padrejtësinë, por se e kishte bërë atë dhe të vazhdueshëm.
Koçi Bej e këshilloi sulltanin t’u kthehej parimeve dhe praktikave të kohës së të parëve, të rishikoheshin punët e kryera në mënyrë të padrejtë, e të kalohej përsëri në decentralizim.
Me gjithë emrin e madh dhe kontributin esencial të Koçi Beut në përpjekjen për mbarëvajtjen e shtetit osman, roli i tij historik mbetet ende i patreguar mjaftueshëm.
Intelektualë dhe qytetarë të Korçës!
Fondacioni ALSAR, me një jetë thuajse njëzetvjeçare, e me mision treplanësh, humanitar, arsimor dhe kulturor, ka zhvilluar aktivitete në tre fushat në këtë qytet.
Nëpërmjet projekteve tona humanitare janë ndihmuar shtresa në nevojë. Fëmijë e të rinj kanë përfituar nga projektet arsimore, që nga mjetet shkollore të dhuruara deri në dërgimin për shkollim në institucionet turke të arsimit të mesëm dhe të lartë.
Me bursat tona për studentë të Universitetit “Fan S. Noli” i kemi dhënë mbështetje brezit të ri për t’u përgatitur sa më mirë në auditore e për t’i shërbyer sa më mirë shoqërisë në të ardhmen.
Botimet tona kanë pasuruar bibliotekën universitare dhe të qytetit, tematikisht dhe nga pikëpamja sasiore.
Titujve të librave tanë u kemi shtuar punimin e një autori me origjinë nga Korça, Ali Galipit, “Histori rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Ky botim është për më tepër katërgjuhësh, në osmanisht, turqisht, anglisht dhe shqip.
Kështu, simpoziumi vjen si një tjetër angazhim në Korçë në veprimtarinë tonë, me shpresën se do të ketë të njëjtin sukses si pararendësit.
Nuk më mbetet veçse t’i deklaroj të hapura punimet e simpoziumit dhe të uroj për punë të mbarë!
Qëndrim të këndshëm dhe ndjekje dobiprurëse të simpoziumit!”
Në seancën e parë të simpoziumit, me drejtues prof. dr. Ali Jasharin, u mbajtën katër kumtesa, “Qytetërimet e Korçës deri te Iljas bej Mirahori”, nga prof. dr. Petrika Lera, “Jeta dhe veprat e bamirësisë së Iljaz Bej Mirahorit”, nga dr. Fatih Tığlı, “Kriza në udhëheqësinë e Shtetit Osman në prizmin e Traktatit të Koçi Beut,” nga prof. dr. Adnan Ismaili, dhe “Djegia e Voskopojës më 1767: arsyet, autorët”, nga prof. dr. Pëllumb Xhufi.
Nën drejtimin e prof. dr. Pëllumb Xhufit u zhvillua seanca e dytë, e cila përmbante shtatë kumtesa. “Hafëz Ali Korça, katër shekuj pas Iljaz bej Mirahorit”, qe temë e kumtesës së mbajtur nga prof. dr. Ali Jashari. Fjalën e tij e pasuan kumtesat, “Koçi bej Korçari, nga të parët reformatorë teorikë osmanë; jeta dhe veprat”, nga prof. dr. Fikret Sarıcaoğlu, “Iljas bej Mirahori në Fondin Albanologjik të Bibliotekës së Korçës”, nga dr. Alba Kreka, “Profile aktuale të mendimit politik të Koçi Beut për funksionimin e strukturave shtetërorore”, nga prof. dr. Zyhdi Dervishi, “Themelimi dhe evoluimi historik e gjeografik i institucionit të vakëfit në zonën e Korçës”, nga studiuesi Petrit Zeneli, “Toponimia historike e krahinës së Vakëfeve”, nga studiuesja Eriona Pambuku, dhe “Mytevelinjtë, Korça, vlerat dhe dinamika e familjes”, nga studiuesja Jetona Myteveliu.
Për pjesëmarrësit në simpozium u dhurua kolana e veprave të Hafiz Ali Korçës, me 250 komplete të botimit të shpërndara.
Punimet e simpoziumit u ndoqën nga mjete të ndryshme informimi, nga media vizive lokale dhe të kryeqytetit.