Në kuadër të nismës “Dhuro pemë për Tiranën”, me qëllim shtimin e gjelbërimit dhe përmirësimin e mjedisit në kryeqytet, Fondacioni ALSAR në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë zhvilloi gjatë fundit të muajit mars në Parkun e Liqenit të Farkës ceremoninë e dhurimit të 2500 copë bimësi dekorative të llojit fidanë pishe, si një kontribut modest për ta bërë më të bukur e më të jetueshëm Kryeqytetin.
Gjatë kësaj ceremonie Kryetari i Bashkisë Tiranë Z. Erion Veliaj i shprehu mirënjohjen e tij Fondacionit ALSAR për këtë kontribut të dhënë në shërbim të brezave që vijnë, si një akt domethënës i dashurisë për jetën dhe natyrën. Ndërsa Kryetari i Fondacionit “ALSAR” Z. Mehdi Gurra nga ana e tij, vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për gjelbërimin e qytetit duke u shprehur: “Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e kësaj nisme dhe të shohim që këto zona zbukurohen gjithnjë e më shumë”.
Kësaj nisme për mbjelljen e pemëve, iu bashkua edhe një grup studentësh i Fondacionit “ALSAR” të cilët mbollën drurë dekorativë duke dhënë mesazhin e tyre se çdo ditë është një mundësi e artë për të vizatuar peisazhin e Tiranës me ngjyra, ajër të pastër e blerim.