Afron nisja e vitit të ri shkollor, dhurohen çanta dhe mjete mësimore

Kanë mbetur vetëm pak ditë nga ulja e nxënësve në bankat e shkollës për të nisur apo vazhduar rrugëtimin e gjatë në udhën e dijes.

Ndërsa viti i ri shkollor është shumë pranë startit të tij, te prindërit, fëmijët e të rinjtë mbizotëron shqetësimi i sigurimit të mjeteve të duhura mësimore.

Ashtu si në çdo shtator, Fondacioni ALSAR kryen një varg veprimtarish humanitaro-arsimore për dhurimin e mjeteve shkollore, në mbështetje të brezit të ri. Shpërndarja bëhet në qytete të ndryshme dhe në shkolla të ndryshme.

Të martën e kësaj jave u krye një veprimtari e këtillë, e para në prag të vitit të ri shkollor. Për 150 jetimë, djem e vajza, u dhanë çanta dhe mjete mësimore.

Kjo ishte faza e parë e aktivitetit dhurues të mjeteve shkollore të mbështetur nga WEFA, me qendër në Gjermani. Një fazë e dytë do të pasojë, me një ndihmë për 150 nxënës të tjerë në një prej shkollave të Tiranës. I tërë projekti, me mbështetjen e kësaj organizate ndërkombëtare ndihmash, parashikon dhënien e ndihmës në çanta dhe mjete mësimore për 300 nxënës në kryeqytet.

Kujdesi dhe përkrahja për fëmijët dhe të rinjtë e të rejat që i kushtohen arsimimit përbën një prej prioriteteve të Fondacionit ALSAR, konkretizuar, mes të tjerash, me realizimin e projekteve të dhurimit të çantave dhe mjeteve të tjera shkollore.

soap 2 day