Aktivitet kulturor në Konispol, dhurohen 300 tituj librash dhe materialet e ekspozitës “Çamëria”

Vetëm pak javë pasi Fondacioni ALSAR mbajti në Konispol simpoziumin shkencor për 80-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, është kthyer sërish atje për realizimin e një projekti kulturor.

Këtë të mërkurë u zhvillua një aktivitet dhurues, ndihmues për gjallërimin e jetës kulturore të Konispolit. Një ceremoni iu kushtua dhurimit të 300 titujve të librave, dhënë në dy kopje, dhe materialeve të ekspozitës “Çamëria”. Po ashtu u dhuruan dhe 20 mbajtëse të materialeve të ekspozitës, së përuruar fillimisht një muaj më parë në sheshin me të njëjtin emër.

Fondacionin ALSAR e përfaqësoi në këtë aktivitet drejtuesi i tij, z. Mehdi Gurra. Ai u prit nga kryetari i Bashkisë së Konispolit, z. Ergest Dule. Të pranishëm në ceremoni ishin dhe punonjës të bashkisë.

Librat dhe materialet e ekspozitës pasurojnë nga pikëpamja kulturore institucionin bashkiak, lokalitetin, dhe u shërbejnë qytetarëve të Konispolit.

Ato janë një tjetër kontribut i Fondacionit ALSAR për Konispolin, në radhën e aktiviteteve të vazhdueshme kulturore, arsimore dhe humanitare për të.

Në vlerësim të këtij kontributi të gjatë, një certifikatë mirënjohjeje u dha me këtë rast për Fondacionin ALSAR.

soap 2 day