Ditëve të solidaritetit human në Ramazan u është bashkëngjitur dhe shoqata e ndihmave humanitare me qendër në Turqi, İyiliğe Çağrı Uluslararası İnsani Yardım Derneği.
Nëpërmjet bashkëpunimit me Fondacionin ALSAR, İyiliğe Çağrı ka shpërndarë ndihma në ushqime, ka dhuruar veshmbathje për jetimë dhe ka shtruar iftare.
Përgjatë kësaj jave, në katër ditë, janë shpërndarë 200 pako me ushqime. Për invalidë në Tiranë të shoqatës “Shpresë për jetën” janë dhënë 100 pako ushqimore. Në Durrës dhe Elbasan kanë qenë përfitues të një sasie pjesëtarë të shoqatës së të verbërve. Ndihmë në pako ushqimore është shpërndarë dhe për nxënës të shkollës së të verbërve.
Shoqata turke e ndihmave humanitare ka ndihmuar të premten me veshmbathje 50 fëmijë jetimë.
Nga e premtja në të dielën, iftaret e saj po shtrohen për një numër të përgjithshëm prej 200 personash, mes tyre invalidë të shoqatës “Shpresë për jetën” dhe jetimë.