Bashkëpunimi i Fondacionit ALSAR me institucionet turke, përkatësisht me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), merr tjetër përmasë gjatë muajit të Ramazanit.
Përmes projekteve të përbashkëta humanitare bëhet e prekshme për mijëra njerëz anembanë vendit tonë ndihma e buruar nga miqësia e dy popujve.
Në këtë kuadër, të premten e 15 prillit u organizua shpërndarja e pakove me ushqime pranë ambienteve të Fondacionit ALSAR.
Aktiviteti u zhvillua me praninë e ambasadorit të Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Murat Ahmet Yörük, të koordinatores së TİKA-s në kryeqytetin tonë, znj. Emine Gizem Başkan, dhe të kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.
Ambasadori turk, pasi e përshkroi Ramazanin si një muaj solidariteti, vuri në dukje veprimtarinë e TİKA-s dhe rolin e saj ndërkombëtar, posaçërisht dhe në Shqipëri.
“TİKA është marka ndërkombëtare e Turqisë, e shquar në aktivitetet e saj për zhvillim dhe ndihmë sociale në Shqipëri, në të gjithë Ballkanin, e madje në mbarë botën. Ajo ka zbatuar deri më sot rreth 600 projekte në Shqipëri,” tha z. Murat Ahmet Yörük.
Kryetari i Fondacionit ALSAR nënvizoi bashkëpunimin me institucionet turke dhe dha shifra të ndihmës së parashikuar për t’u shpërndarë.
Mehdi Gurra theksoi mes të tjerash: “Bashkëpunojmë prej 16 vitesh me të gjitha institucionet turke. Vetëm për këtë vit, me ndihmën e TİKA-s do të ndihmohen në tërësi 10 mijë familje.”
Ai e bëri të ditur për të pranishmit dhe mjetet e informimit se TİKA ka për t’u ardhur në ndihmë në këtë muaj Ramazani fëmijëve jetimë nën përkujdesin e ALSAR-it.
Ambasadori turk, kryetari i Fondacionit ALSAR dhe koordinatorja e TİKA-s e nisën më pas shpërndarjen e pakove me ndihma ushqimore për jetimët dhe familjet e tyre.
Një sasi prej 1000 pakosh me ushqime, me artikujt më bazë ushqimorë, u shpërnda gjatë aktivitetit humanitar. Ndërkaq, sasia e tërë e ndihmës ushqimore që do të ndahet gjatë Ramazanit për jetimët dhe familjet e tyre, në bashkëpunim me ALSAR-it dhe TİKA-s, është 3000 pako.