Fondacioni ALSAR dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) vazhdojnë realizimin e projekteve të përbashkëta në Ramazan, të ndarjes së ndihmave në pako ushqimore dhe të shtrimit të iftareve për bashkësi besimtarësh dhe komunitete në nevojë.
Për banorë të Fushë-Krujës, besimtarë dhe nevojtarë, u shtrua mbrëmjen e së enjtes një iftar në oborrin e Xhamisë Arrameras.
Në ambientin e rregulluar me kujdes dhe këndshëm për rreth njëqind veta, ngrënia e përbashkët e iftarit krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe vëllazërore.
Të pranishëm në iftar ishin kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe koordinatorja e TİKA-s në Tiranë, znj. Emine Gizem Başkan.
Shtrimi i iftareve apo dhurimi i hajes së iftarit në paketa të parapërgatitura është veprimtari e përditshme e ALSAR-it dhe TİKA-s, siç është dhe shpërndarja e ndihmave ushqimore.
Ndihma, shprehja e solidaritetit, krijimi i frymës festive, u kushtohet familjeve në nevojë, jetimëve, agjëruesve. Ramazani është mundësia më e mirë për të ndihmuar dhe për t’u vëllazëruar!