Fondacioni “ALSAR” në kuadër të veprimtarisë së tij mirëbërëse në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë, me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, dhe Universitetin e Trakias, Turqi, organizuan trajnime për mjekët dhe infermierët e urgjencave mjekësore në Shqipëri.Trajnimet u organizuan në datat 6-7 prill në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore në Tiranë, ku në to morën pjesë mbi 60 mjekë dhe infermierë nga qytete të ndryshme të vendit. Skënder Brataj, drejtor i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore në Shqipëri, në aktivitetin e hapjes së trajnimit theksoi se trajnimi i personelit mjekësor sjellë përmirësimin e shërbimeve spitalore në urgjencat mjekësore shqiptare.
“Në bazë të marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Turqisë në vitet e fundit, janë organizuar disa kurse trajnimi, që kanë sjellë përmirësimin e kushteve dhe në përmirësimin e trajnimit të personelit mjekësor, sidomos në fushën e urgjencës dhe në fusha të ndryshme të shëndetësisë. Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, falënderoj Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë. Shpresoj për bashkëpunime të tjera, që t’i shërbejnë qëllimit të përbashkët të përmirësimit të kushteve shëndetësore, por sidomos për fushën që ne mbulojmë, që është ajo e urgjencës mjekësore”, u shreh Brataj.
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, theksoi se mjekë dhe infermierë nga Shqipëria, çdo vit janë pjesë e trajnimeve që organizohen në Turqi dhe çdo vit 100 shtetas shqiptarë shkojnë në Turqi për kurime falas.”Turqit dhe shqiptarët kanë përjetuar bukurinë e të jetuarit së bashku për qindra vite në marrëdhënie të miqësisë dhe vëllazërisë së vërtetë. Me frymëzimin e marrë nga marrëdhëniet e thella nga e kaluara dhe nga aspekte të tjera, shpresojmë që marrëdhëniet tona mes dy vendeve t’i shndërrojmë në një të ardhme të përbashkët duke i kurorëzuar me bashkëpunime dhe projekte edhe më konkrete. Ne mbështesim përparimin e vendit mik dhe vëllazëror të Shqipërisë ashtu si në të gjitha fushat e tjera edhe në atë të shëndetësisë. Në këtë drejtim, ne në Turqi e vazhdojmë trajnimin e mjekëve dhe infermierëve që vijnë nga Shqipëria dhe me bursat që akordojmë përmes fakulteteve të mjekësisë.” tha ambasadori Yörük.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe kryetari i Fondacionit “Alternativa e së Ardhmes” ALSAR, Z.Mehdi Gurra, i cili tha se “ALSAR” është pjesë mbështetëse për të realizuar trajnimin.”Si organizatë kemi patur shumë kontakte me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë. Në vitin 2015 Spitali i Neurologjisë dhe ai i Traumës në Tiranë, janë furnizuar me bazë materiale nga fondacioni ynë. Jemi marrë kryesisht me ndihmat për fëmijët jetimë, sepse ne si organizatë që mbështesim 3500 jetimë në Shqipëri, jemi angazhuar edhe në drejtim te ofrimit te përkujdesjes shëndetësore ndaj tyre”, u shpreh Gurra. Në fokus të trajnimeve që organizohen në kuadër të “Javës së Shëndetit”, me pjesëmarrjen e profesorëve nga Turqia, do të jenë ndihma e parë për personat me sëmundjet e zemrës, ndihma e parë për personat e traumatizuar, ndihma paraspitalore për të traumatizuarit dhe ndihma e parë për të traumatizuarit në gjendje të rëndë.