ALSAR promovon librin e Burhan Filit, “Në gjurmët e shtegtimit tim”

Fondacioni ALSAR, botues i librit autobiografik të hoxhë Burhan Filit, organizoi dhe zhvilloi të shtunën e 18 korrikut paraqitjen e këtij titulli të ri për publikun.

“Në gjurmët e shtegtimit tim” mblodhi të interesuar të shumtë në mjediset e Hotel “Tirana International”.

Në sallën e mbushur me klerikë, mysafirë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, përfaqësues organizmash të shoqërisë civile, familjarë të autorit dhe qytetarë të moshave të ndryshme, promovimin e drejtoi mbesa e z. Burhan Fili, Diana Xhevdet Cane.

Në emër të Fondacionit ALSAR përshëndeti z. Bujar M. Hoxha, i cili tha në fjalën e tij:

“I nderuar hoxhë Burhan Fili!

I nderuar kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, myfti Naim ef. Tërnava!

I nderuar profesor Milazim Krasniqi!

I nderuar hoxhë Astrit ef. Nikaj!

I nderuar hoxhë Justinian Topulli!

I nderuar hoxhë Ekrem Avdiu!

I nderuar hoxhë Husamedin Abazi!

I nderuar hoxhë Bekir Halimi!

Të nderuar mysafirë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi!

Të nderuar hoxhallarë!

Të nderuar familjarë të hoxhë Burhan Filit!

Të nderuar të pranishëm!

Ju uroj mirëseardhjen në emër të Fondacionit ALSAR dhe ju përcjell nga ana e kryetarit, zotni Mehdi Gurrës, ndjesën e thellë për mospjesëmarrjen e tij në këtë promovim, për shkak të një angazhimi të paparashikuar dhe të pashmangshëm!

I nderuar me mbajtjen e fjalës si përfaqësues i Fondacionit ALSAR, saktësisht i Botimeve ALSAR, më duhet t’ju them fillimisht se organizimi i këtij promovimi në këtë korrik të nxehtë respekton jubileun, mbase më të rëndësishëm, të jetës së autorit të librit autobiografik: 50-vjetorin e arratisjes së tij.

Brezi që nuk i përket asaj kohe e ka krejtësisht të pamundur ta rrokë atë atmosferë mbytëse në të cilën u mor vendimi për të ikur, për të lënë vendin e për të nisur një jetë të re, e për më tepër as mund ta kuptojë se arratia do të thoshte atëherë se thuajse ishe i vdekur, i qëlluar pas shpine ndërsa kapërceje kufirin, në tokë a në ujë. Nëse të kapnin ose të kthenin, ishte akoma më keq se vdekja. Desh Zoti që fati i hoxhë Burhan Filit të ishte shkruar ndryshe. Bereqetin e atij fati ai e shfrytëzoi si duhet dhe prova më e fortë e kësaj është vetë ky promovim.

Pesë dekada më vonë, protagonisti i botimit dhe i këtij aktiviteti përçon pa folur te të pranishmit mësimin kur’anor të këmbimit te njeriu të ditëve të këqija dhe të mira, të ardhjes së lehtësimit pas vështirësisë dhe të madhështisë së durimit, si një virtyt i lartë në ekzistencën në këtë botë të krijesës njerëzore!

Hoxhë Burhan Fili i iku në korrik të vitit 1976 makthit të pandërprerë të të jetuarit pa lirinë e besimit, të të jetuarit nën mbytjen e krijuar prej ateizmit pervers shtetëror, prej eksperimentit të imponuar nga pushteti i së keqes. Ikja nuk qe prej mosmbushjes së barkut, por prej frikës së zbrazjes së shpirtit. La pas njerëzit më të dashur, shtëpinë dhe vendlindjen, por jo mësimet prindërore me të cilat qe mbrujtur. Nuk u dha pas përmbushjes materiale të unit, por e përdori egon për t’iu vënë pas ambicieve sipërore: për t’u përpjekur për fe e vatan!

Qetësia racionale e reflektuar në pamjen fisnike të hoxhës shumë të nderuar duhet t’i jetë borxh patjetër kënaqësisë me të cilën ai e sheh të shkuarën e tij. Doemos ka qenë dhe ai, si çdo njeri, nën trysnitë e mallit, brengave dhe pikëpyetjeve. Do të jetë përballur me gjendje të gjykuara humanisht pa rrugëdalje, do t’i kenë shkuar lot burri në faqe dhe do të ketë psherëtirë pa pasur një prehër ku ta mbështesë kokën. Ama, forca e besimit nuk e ka lënë ta pllakosë e errëta. Është mbajtur fort pas dritës së Allahut dhe ajo i ka rrëfyer udhën e mbarësisë. Është mbështetur tek Allahu dhe e ka ndier dorën e më Bujarit!

Dhe ja ku e kemi mërgimtarin e pazakontë, tek na fton për t’i prekur gjurmët e shtegtimit të tij, për t’i mësuar ecejaket misionare, për të kuptuar lodhjen, për t’u njohur me individët e ndeshur gjatë realizimit të synimeve të larta, nga mentorët tek ata që mund t’i kenë lënë edhe shije të hidhur, nga të kthyerit në miq të përhershëm tek të patakuarit më, për t’u ndalur me imagjinatë në vendet ku ai shkeli, ku ngulmoi dhe ku ia doli, për ta dëgjuar zërin e Radio Kajros tek flet shqip dhe për ta parë si kopshtar ndërsa përpiqet ta gjelbërojë tokën amë të tharë prej ndalimit të besimit, tek idealisht nuk lodhet për ta kthyer qoftë edhe një copë shkretëtirë në livadh.

“Në gjurmët e shtegtimit tim” është filmi në shkronja i jetës së hoxhë Burhan Filit, është trashëgimia dhe mësimi që ai i lë gjakut të tij. Botimet ALSAR ia sollën me shumë dëshirë atë publikut, me akoma më tepër vullnet pozitiv nga çfarë kanë përmbajtur bashkëpunimet e mëhershme gjatë këtyre viteve. Brendia e tekstit vlon nga autenticiteti i ndjenjës, përjetimit dhe shkrimit. Botimi është shprehje e respektit për jetën e dinjitetshme dhe frymëzuese të hoxhë Burhan Filit, për ndihmën e pakursyer të dhënë nga vitet ’90 e këtej, në vazhdim, për rigjallërimin e fesë dhe ringritjen e institucioneve fetare, për gjithçka ai dha dhe jep për popullin e tij, për ummetin, për vendin dhe për Islamin.

Allahu qoftë i kënaqur me të dhe me ne!

Shumë faleminderit për dëgjimin e kujdesshëm të fjalës!

E mbyll atë duke shpresuar që me këtë promovim t’i kemi treguar mirënjohjen e duhur fisnikut Burhan Fili!”

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myfti Naim ef. Tërnava, e përcolli me fjalë të ndiera për mikun e tij të kahershëm, autorin e librit, fjalën përshëndetëse.

“Në gjurmët e shtegtimit tim”, tha ai, “nuk është një vepër që lexohet vetëm me sy, por me ndërgjegje, me zemër dhe shpirt… Kjo vepër është shumë më tepër se një libër, është një monument kujtese, një dëshmi e qartë e shpirtit të pathyeshëm shqiptar.”

Fjalën e kryeimamit të Ulqinit, Ali ef. Bardhi, të pamundur për të ardhur, e mbajti hoxhë Astrit ef. Nikaj. Në të tërhoqën vëmendje fjalët për autorin:

“Shembulli i tij është motivim për brezat e rinj, që të rriten me dashuri për dijen, me respekt për traditën dhe me përkushtim ndaj fesë e komunitetit.”

Prof. dr. Milazim Krasniqi foli për “rikthim” të autorit “në folenë e vjetër, … rikthyer fitimtar në Shqipërinë e tij, … kësaj here për të dokumentuar shtegtimin e tij të suksesshëm, edhe në këtë libër të cilin po e promovojmë…”.

Pas tij e mori fjalën hoxhë Justinian Topulli, që zgjodhi të mos i përmbahej tekstit të përgatitur dhe ta linte të lirë shprehjen e mendimeve. Ai e cilësoi autorin, hoxhë Burhan Filin, “një ambasador të denjë për Islamin dhe atdheun”.

Disa fjalë ia dedikoi promovimit edhe hoxhë Husamedin Abazi, gjithashtu emocionues në shprehje, si te nënvizimi se:

“…ka tubime si ky i sotmi ku nderohet një jetë e tërë e shtrirë në shërbim të dijes. Ky është një nderim jo vetëm për një person, por … edhe për librin, amanetin e dijes.”

Hoxhë Burhan Fili, i prekur nga fjalët e thëna për të dhe librin, i falënderoi të gjithë të pranishmit ndërsa iu drejtua atyre:

“Sikur njihja tjetër Burhan; fjalë të bukura, fjalë të qëlluara, thurur me mjeshtëri… U jam mirënjohës të gjithëve… Libri ‘Në gjurmët e shtegtimit tim’ është zëdhënësi im…”

Autori falënderoi në fund të fjalës kryetarin e Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, për kontributin e çmueshëm.

Një lutje, dua, dhe pas saj një koktej për të pranishmit mbyllën aktivitetin promovues.