Në kalvarin e peripecive historike të Krimesë dhe të popullsisë së saj tatare, aneksimi nga rusët në vitin 2014 përbën sfidën më të fundit ndaj ekzistencës së tyre.
Ai zhvillim i papranuar përgjithësisht ndërkombëtarisht para një dekade pararendi dhe paralajmëroi ngjarjet e sotme, invazionin rus në Ukrainë dhe një rajon të destabilizuar në mënyrë të frikshme, me efekt të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe paqen globale.
Historia e Krimesë dhe e tatarëve ka në të mbijetesë, vuajtje, dëbim, kthim, një varg përvojash jetësore drithëruese dhe njëkohësisht frymëzuese. Tatarët kanë parë e përjetuar shumë, por falë vitalitetit të tyre kanë mundur të mbeten në këmbë.
E përmbledhur, historia e tatarëve, dhe e Krimesë, vjen përmes një botimi të ri, të përkthyer shpejt dhe në shqip.
“Krimeja është e jona – Lufta e pambarim e tatarëve të Krimesë” është shkruar nga Melek Maksudoğlu, me gjak tatar dhe e përkushtuar intelektualisht në përcjelljen e historisë së tatarëve të Krimesë.
Botimet ALSAR e kanë sjellë librin në variantin dygjuhësh, në shqip dhe në origjinal, në anglisht, siç kanë bërë periodikisht në disa tituj të rinj.