“Diturija” dhe Lumo Skëndo janë bërë shkas në më pak se një muaj për dy konferenca shkencore, njëra e zhvilluar në Tiranë muajin e shkuar, dhe tjetra e sapombajtur në Prishtinë.
Botimi anastatik i revistës “Diturija”, një sipërmarrje e suksesshme e Fondacionit “ALSAR” dhe e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, ka marrë kështu tërë vëmendjen intelektuale dhe mediatike gjatë kësaj periudhe kohore.
Në rolin e organizatorit në kryeqytetin kosovar të konferencës me temë, “Lumo Skëndo dhe themelimi i revistës Diturija”, ishte Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Fondacionin “ALSAR”.
Konferenca e zhvilluar më 6 nëntor qe po ashtu në kuadër të kremtimit të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit.
Fjalën e hapjes në këtë konferencë e mbajti mikpritësi, z. Fazli Gajraku, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ndërsa foli dhe znj. Leonora Morina-Bunjaku, zëvendësministre e Kulturës në qeverinë e Kosovës.
Znj. Persida Asllani, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, dhe z. Mehdi Gurra, kryetari i Fondacionit “ALSAR”, mbajtën fjalë përshëndetëse.
Dy miqtë nga Tirana e vunë theksin te figura e Mid’hat Frashërit dhe te kontributi i tij intelektual, revista “Diturija”, themeluar dhe drejtuar nga ai. Z. Mehdi Gurra i kushtoi pak rreshta në fjalën e tij dhe veprimtarisë së Fondacionit “ALSAR”, për t’ua bërë atë të njohur më mirë të pranishmëve në konferencë.
Botimi anastatik i revistës “Diturija” u çmua prej tyre dhe prej kumtuesve në vijim, vështruar në kënde të ndryshme.