Në kuadër të aktiviteteve arsimore dhe kulturore të Fondacionit ALSAR, dhe në vijim të projektit afatgjatë, “Libri, dhurata më e çmuar”, qindra tituj librash janë dhuruar për studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës.
Ceremonia e dhurimit u mbajt sot, më 17 janar, në auditoret e këtij fakulteti, me praninë e shumë ndjekësve të studimeve të larta të interesuar për të përfituar nga kjo dhuratë e veçantë.
Në aktivitetin e organizuar në bashkëpunim me departamentet e fakultetit mbajti një fjalë prof. dr. Zyhdi Dervishi, ku falënderoi përzemërsisht Fondacionin ALSAR për librat e dhuruar. Ai foli për kontributet e ALSAR-it në fushën e kulturës, në mbështetjen e studentëve, si dhe në lëmin humanitar.
Do t’u drejtohej studentëve dhe drejtori administrativ i Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku, për t’u folur në mënyrë të përmbledhur për veprimtarinë e ALSAR-it, për shtyllat e kësaj veprimtarie – humanitare, arsimore dhe kulturore – dhe për arritjet në vite.
Dhurata përbëhej nga 200 tituj librash, shpërndarë më pas për studentët, përgjithësisht vajza, që patën mundësinë dhe të zgjidhnin mes tyre botimet më me interes.