Fondacioni ALSAR ka nisur zhvillimin e një vargu aktivitetesh disaditore në ndihmë të fëmijëve jetimë, në shprehje të solidaritetit me ta dhe në përmbushje të misionit të tij humanitar.
Aktivitetet në ditët e solidaritetit me fëmijët jetimë organizohen në bashkëpunim me një organizatë ndërkombëtare partnere, WEFA-n, me qendër në Gjermani.
Delegacionit të WEFA-s të ardhur në vendin tonë i prin kryetari i saj, z. Musab Aydın. Pjesë e delegacionit janë dhe një grup gazetarësh, për përgatitjen e një reportazhi mbi aktivitetet e këtyre ditëve.
Programi përmban mes të tjerash vizita në shtëpitë e fëmijëve jetimë në tre qytete të vendit, në Librazhd, Elbasan dhe Tiranë. Vizitat shërbejnë për të parë nga afër kushtet e jetesës së jetimëve, për ta prekur realitetin e tyre, për të përçuar te fëmijët jetimë dhe familjet e tyre ndjenjën e solidaritetit, të kujdesit të shoqërisë për ta.
Vizitat e para u kryen të enjten në pesë familje jetimësh në Librazhd. Të premten u vizituan familje të fëmijëve jetimë në Elbasan. Numër i njëjtë vizitash në familjet e jetimëve do të bëhet të dielën në Tiranë.
Për jetimët e vizituar nga përfaqësuesit e ALSAR-it dhe të WEFA-s jepen ndihma në pako ushqimore, në veshmbathje dhe në shumë monetare. Një ndihmë e tillë u dha për jetimët në Librazhd dhe Elbasan.
Programi i përbashkët me WEFA-n vijon të shtunën me të tjera aktivitete në kryeqytet me fëmijët jetimë.