Sapo e ka parë dritën e botimit një vepër në boshnjakisht, e cila zë vend në kolonën e gjatë të botimeve të ALSAR-it.
Mevludi në boshnjakisht u botua me kërkesë të Bashkësisë Islame të Malit të Zi, për të plotësuar një nevojë të komunitetit musliman boshnjak në Mal të Zi.
Në paraqitjen e shkruar nga botuesi për botimin në boshnjakisht thuhet:
“Njeriu të cilit katërmbëdhjetë shekuj më parë i zbriti hyjnisht Kur’ani do të bëhej me jetën, fjalët dhe veprimet e tij shembulli i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm për çdo besimtar musliman. Ai u shndërrua në busull, krahas Kur’anit, në përpjekjen njerëzore për të çuar një jetë të moralshme. Përnderimi për të është domosdoshmëri e muslimanit, kushdo që të jetë dhe kudo që të jetë.
Ky përnderim, ky përkushtim, kjo ndjekje e modelit të pashoq, e gjen shprehjen në forma të panumërta, veçse me atë në qendër. Mes tyre dallohet mevludi, një rrëfim në vargje i jetës dhe veprës së Profetit Muhammed, shkruar si lavd dhe kënduar në ditëlindjen e tij apo në tubime të ndryshme muslimanësh.
Në Ballkan ka një traditë të shkrimit dhe këndimit të mevludit, pasuruar ose zbehur në kohë. Veç produkteve vendase të kësaj krijimtarie të veçantë letrare, ka qarkulluar te ballkanasit muslimanë dhe i shumëdëgjuari mevlud i Sulejman Çelebiut, më i përhapuri libër pas jetëshkrimeve për të Dërguarin e Zotit. Me sinqeritetin dhe çiltërsinë e tij të shprehur në çdo varg të shkruar, autori do t’i siguronte jetëgjatësinë blatimit poetik për më të mirin, më fisnikun njeri që ka njohur kjo botë.
Mevludin në fjalë e sjell në boshnjakisht Fondacioni ALSAR, me kërkesën e Bashkësisë Islame të Malit të Zi, dhe botimi i vjen në ndihmë komunitetit musliman boshnjak në Mal të Zi.
Nuk është ky një bashkëpunim i parë midis dy institucioneve, që më herët e kanë shtruar rrugën e ndërveprimit me botimin nga ALSAR-i të ciklit me 11 libra të mësim-besimit, përkthime nga boshnjakishtja në shqip.
Vështruar më gjerë, botimi i Mevludit në gjuhën boshnjake bart aspiratën e mbajtjes gjallë të Islamit në Ballkan. Shqiptarët dhe boshnjakët duhet të afrohen dhe të bashkëpunojnë për vazhdimësinë dhe mbrothësinë e Islamit ballkanik. Botimi është kontribut në këtë pikëpamje.”