Kryetari i Fondacionit ALSAR ka vizituar në Ankara dhe selinë e Konfederatës HAK-İŞ, entit të njohur sindikal në Turqi.
Ai është pritur nga kryetari i konfederatës, z. Mahmut Arslan, i cili i ka uruar mirëseardhjen.
Bashkëbisedimi gjatë vizitës ka krijuar mundësinë për t’u njohur me aktivitetet e dy institucioneve gjatë kësaj periudhe dhe për të shkëmbyer ide për forcimin e bashkëpunimit kur është folur në terma konkretë të interesit reciprok.
Z. Mahmut Arslan falënderoi z. Mehdi Gurra për bashkëpunimin institucional dhe garantoi për vazhdimin e mbështetjes për më tutje, përgjatë kësaj kohe të mbetur të këtij viti dhe për vitin në vijim, në të tre fushat e aktivitetit të Fondacionit ALSAR, humanitar, arsimor dhe kulturor, specifikisht dhe në realizimin e botimeve me tematikë historike dhe fetare.
Nga ana e tij, z. Mehdi Gurra e ka falënderuar së pari kryetarin e konfederatës sindikale për mikpritjen. Ai ka vlerësuar mbështetjen e deritanishme dhe zhvillimin e projekteve ku kjo mbështetje është fokusuar.
Bisedën e mbizotëroi vullneti i përbashkët për vazhdimësinë e bashkëpunimit.
Z. Mehdi Gurra ka zhvilluar në javën e sapombyllur një varg takimesh në Ankara me drejtues të institucioneve turke me të cilat Fondacioni ALSAR ka një bashkëpunim e partneritet të suksesshëm.


