Muaji i Ramazanit ka bërë tashmë një të tretën e parë të tij; një periudhë kohore në të cilën Fondacioni ALSAR ka zhvilluar një varg aktivitetesh humanitare në ndihmë të shtresave në nevojë.
Në atmosferën e solidaritetit human të këtij muaji dhe të projekteve humanitare të parashikuara për t’u realizuar në të, janë shpërndarë të premten ndihma në ushqime në disa qytete.
Veprimtaritë e kësaj dite janë mundësuar me mbështetjen nga TİKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, dhe në kuadër të bashkërendimit të Fondacionit ALSAR me të për shpërndarjen e ndihmave ushqimore për familje jetimësh në Ramazan.
Pako me ushqime janë shpërndarë në Shijak, Durrës, Kavajë, Lushnjë dhe Fier. Ndihmën e kanë përfituar 200 familje jetimësh.
Fundjava do të ketë gjithashtu aktivitete të ngjashme humanitare, në të tjera pikëmbërritje, për ta bërë sa më të gjerë hartën e të ndihmuarve në Ramazan dhe për ta përçuar frymën e tij ngado.






