Fidanë agrumesh për familje të fëmijëve jetimë, ndihmë e dhënë me mbështetjen nga TİKA

Përgjatë tre ditëve, nga e hëna në të mërkurën e kësaj jave shtatori, Fondacioni ALSAR dhe TİKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, po kryejnë një veprimtari të përbashkët bamirëse në ndihmë të familjeve të fëmijëve jetimë.

Nëpërmjet këtij aktiviteti humanitar ndihmohen 50 familje jetimësh, nën kujdesin e ALSAR-it, me fidanë agrumesh. Çdo familje merr si ndihmë 75 fidanë, 25 portokalli, 25 mandarine, dhe po aq limoni.

Një specialist turk i bujqësisë u vjen gjithashtu në ndihmë marrësve të fidanëve me dhënien e informacionit përkatës për mbjelljen dhe mirërritjen e tyre, duke e praktikuar dhe në terren procesin mbjellës.

Pas shpërndarjes së fidanëve të hënën në Lushnjë dhe Kavajë, në ditën e dytë të veprimtarisë, në Shalës, të Bashkësisë së Cërrikut, ishin të pranishëm dhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, koordinatorja e TİKA-s në Tiranë, dr. Emine Gizem Başkan, si dhe kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra. Ata u ndalën në fjalën e tyre të rastit te projekti në zhvillim, ndërsa folën dhe më në përgjithësi, për kontributin dhe mbështetjen e gjithanshme turke për popullin shqiptar.

Aktivitetin e ndjekin nga afër, dhe si kontribues në të, një grup aktivistësh, studentë të ardhur nga Turqia në kuadër të një projekti të shkëmbimit të përvojave.

Shpërndarja e fidanëve ka vijuar të mërkurën në Libofshë të Fierit, ku është ndjekur e njëjta procedurë.

Projekti është një prej shumë të tillëve të realizuar nga bashkëpunimi i Fondacionit ALSAR me organizma partnere si veprimtari humanitare në ndihmë të shtresave në nevojë.

soap 2 day