Fjalë të ndiera dhe trëndafila në ceremoninë përkujtimore në gjashtëvjetorin e triumfit të popullit turk mbi përpjekjen për grusht shteti

Prej vitesh tashmë, në parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, aty ku ndodhet një pllakë përkujtimore me emra dëshmorësh turq, mbahet çdo 15 korrik një ceremoni në përkujtim të epopesë që shkroi populli turk në atë ditë të 2016-s, të fitores mbi tradhtinë dhe përpjekjen e dështuar për grusht shteti.

Ceremonia e sotme, në përkujtim të gjashtëvjetorit të asaj ngjarjeje, e organizuar nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, do të niste me një minutë heshtje në respekt të kujtimit të dëshmorëve të 15 korrikut 2016.

Të pranishmit në ceremoni, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, drejtues dhe zyrtarë të institucioneve turke në kryeqytetin tonë, përfaqësues organizatash, qytetarë, të moshuar e të rinj, dëgjuan më pas himnet kombëtare të Turqisë dhe Shqipërisë.

“Rimblidhemi sot në të njëjtin vend për të përkujtuar dhe nderuar mes emocionesh e lotësh ngadhënjimin mbi tentativën e dështuar për grusht shteti nga ana e grupimit të fshehtë komplotisto-terrorist gylenist, të kryer gjashtë vite më parë në shtetin dhe popullin vëlla turk. Mes lulesh e gjelbërimit shpërthyes, gdhendur mjeshtërisht në këtë pllakë mermeri simbol, prehen në paqe emrat e 251 martirëve, 251 engjëjve, 251 yjeve, rënë heroikisht për mbrojtjen e shtetit të tyre demokratik dhe presidentit Rexhep Tajjip Erdogan!”, do të thoshte në nisje të fjalës së tij, z. Petrit Zeneli, përshëndetës në emër të organizatave të shoqërisë civile.

“Është i gjashti vit ky që ndiejmë dhimbje e pikëllim, si të jemi para Bashkisë së Stambollit famëmadh, para detit të fotografive të martirëve, përshfaqur njëri më i ri se tjetri, njëri më i bukur se tjetri, njëri më i qeshur se tjetri, por që, fatkeqësisht, dora gjakatare puçiste e Lëvizjes FETO ua preu në mes udhëtimin e jetës, ëndrrat e bukura të asaj mbrëmjeje ngazëlluese vere!”, vuri në pah z. Zeneli, drejtues i Shoqatës Atdhetare Kulturore të Krahinës së Vakëfeve, Korçë.

Emocionuese ishin fjalët e tij, “Sot, në këtë ditë historike përkujtimore, ngushëllojmë së pari familjet e të rënëve dhe gjithë popullin turk, duke u përulur para kujtimit të heronjve dhe duke i mbuluar me buqeta lulesh emrat e tyre, që lule në kopshtin e historisë turke do mbesin gjithmonë!”

Duke bërë një panoramë të shkurtër të asaj çka ndodhi gjashtë vite më parë dhe të përpjekjes së vazhdueshme së shtetit turk për ta luftuar e çrrënjosur strukturën e organizatës terroriste që kreu aktin puçist, ambasadori turk në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, theksoi kërcënimin që paraqet FETÖ për sigurinë e shteteve ku ende e vijon veprimtarinë e saj.

Në këtë kontekst, ai rikujtoi se Shqipëria është fatkeqësisht një prej vendeve ku organizata terroriste akoma ushtron aktivitet, më dukshëm në arsim dhe shëndetësi. Ambasadori u kujdes ta shprehë vendosmërinë se lufta ndaj FETÖ-s ka për të vazhduar!

Një leksion për demokracinë e çdo vendi, i quajti diplomati i lartë turk ngjarjet e 15 korrikut të para gjashtë viteve.

Lutjet për të rënët, këndimi i vargjeve kur’anore, dhe vënia e trëndafilave në pllakën përkujtimore me emrat e 251 dëshmorëve, ishin pjesë e ceremonisë përkujtimore.

soap 2 day