Fondacioni ALSAR dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) e kanë nisur bashkëveprimin e tyre në Ramazan me shpërndarjen pak para ardhjes së këtij muaji të pakove ushqimore për fëmijët jetimë të Tiranës.
Ceremonia tanimë e përvitshme është zhvilluar të enjten, më 27 shkurt, në pallatin e sportit “Farie Hoti”. Në të kanë marrë pjesë kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata.
Jetimë dhe të afërm të tyre ishin pjesë e ceremonisë si ndjekës të saj dhe përfitues të ndihmës ushqimore.
Projekti humanitar i dedikuar jetimëve përgjatë muajit të Ramazanit ka filluar të vihet në jetë në këtë mënyrë me shpërndarjen e 700 pakove të para.
Në total është parashikuar shpërndarja e 3500 pakove ushqimore në një muaj në një gjeografi të gjerë të vendit.
Kryetari i Fondacionit ALSAR e falënderoi TİKA-n, në një deklarim për median, për mbështetjen për të bërë të lumtur mijëra fëmijë jetimë. Koordinatori i TİKA-s theksoi po në kuadër të informimit rëndësinë e dhënë në projekte grupeve më në nevojë të shoqërisë.
Ky projekt i shpërndarjes së pakove ushqimore me rastin e muajit të Ramazanit do të vazhdojë të zbatohet në ditët e ardhshme nëpërmjet aktiviteteve të njëpasnjëshme humanitare.