Fondacioni ALSAR dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) kanë zhvilluar në mesin e kësaj jave një tjetër aktivitet të përbashkët humanitar në kuadër të bashkëveprimit në muajin e Ramazanit.
Aktiviteti synonte t’u vinte në ndihmë familjeve të jetimëve në qytete të ndryshme të vendit me ndihma të prekshme dhe domethënëse në fushën e bujqësisë.
Shpërndarja e kësaj ndihme për 50 familje jetimësh u krye përmes dy veprimtarive, në Tiranë dhe Lushnjë, me pjesëmarrjen në atë në kryeqytet të ambasadorit të Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, të koordinatorit të TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata, dhe të kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.
Ambasadori turk shprehu kënaqësinë për shpërndarjen e këtyre ndihmave në emër të popullit turk dhe për mundësinë e lehtësimit të jetës së përfituesve të ndihmës. Z. Tayyar Kağan Atay tha gjithashtu se Turqia është në mbështetje të popullit shqiptar me të gjitha institucionet e saj në vendin tonë.
Koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata, citoi gatishmërinë e përhershme për të dhënë mbështetje në aspekt të ndihmës për këto familje. Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, e përmendi projektin si një të tillë me vazhdimësi prej vitesh në ndihmë të familjeve të jetimëve që kanë tokë bujqësore dhe falënderoi Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë dhe TİKA-n për mbështetjen e pandërprerë të dhënë familjeve të jetimëve.
Ndihma përbëhej nga farëra jonxhe, misri dhe fasuleje, si dhe nga plehra kimike. Atë e përfituan familje jetimësh në Tiranë, Elbasan, Fier, Lushnjë dhe Divjakë, e në fshatrat rreth tyre.