Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për jetimët dhe familjet e tyre, të veprimtarive humanitare të Fondacionit ALSAR, e të bashkëpunimit të konsoliduar me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), është bërë në këtë fillim të javës dhurimi i një sasie mjaft të konsiderueshme fidanësh ulliri dhe plehrash kimike për familje të jetimëve.
Në aktivitetin humanitar të zhvilluar në Librazhd merrte pjesë ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata, dhe kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.
Ambasadori turk e cilësoi ndihmën për familjet e jetimëve një dhuratë të popullit turk për popullin vëlla shqiptar, duke uruar gjithashtu që kjo ndihmë ta lehtësojë jetesën e këtyre familjeve.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, pasi solli në kujtesën e të pranishmëve zhvillimin dhe më herët të projekteve të tilla humanitare, përcolli shpresën për shtimin e tyre në vitet që vijnë.
Familjet e ndihmuara i përkisnin qarkut të Elbasanit, përkatësisht qyteteve Elbasan, Librazhd, Peqin, Cërrik, Belsh dhe Gramsh, si dhe një numër i vogël atij të Beratit.
Ndihma e shpërndarë për 50 familje jetimësh përmbante 35 fidanë ullinjsh dhe dy thasë, apo 50 kg, plehra kimike, për çdonjërën prej tyre. Në një numër të përgjithshëm, u dhuruan 1750 fidanë ulliri.
Synimi i dhënies së kësaj ndihme ishte një kontribut me efekte afatgjata në jetën e këtyre familjeve, ku të ardhurat mund të sigurohen përmes bujqësisë dhe frutikulturës.
Fondacioni ALSAR dhe TİKA organizojnë dhe realizojnë bashkërisht në mënyrë periodike aktivitete të ngjashme humanitare në ndihmë të shtresave në nevojë të shoqërisë sonë.