Kontribues në përmirësimin e cilësisë së jetesës në kryeqytet, në gjelbërimin e hapësirave, të mjedisit tonë rrethues, Fondacioni ALSAR ka dhuruar 100 fidanë, destinuar për t’u mbjellë buzë një rruge të re.
ALSAR e organizoi ceremoninë e dhurimit në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, në një akt tjetër kontributi për kryeqytetin.
Dhuruar në kuadër të nismës “Dhuro për Tiranën”, pemët e reja janë mbjellë në praninë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, dhe të kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra.
Në ceremoninë e dhurimit dhe të mbjelljes kanë qenë i pranishëm dhe personeli i Fondacionit ALSAR, së bashku me studentë nën kujdesin e ALSAR-it.
Erion Veliaj shprehu mirënjohjen për Fondacionin ALSAR në emër të banorëve të kryeqytetit, duke e vlerësuar lart këtë kontribut të përsëritur për gjelbërimin e Tiranës.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, e çmoi nismën e Bashkisë për ta bërë Tiranën sa më të gjelbëruar dhe shprehu kënaqësinë që institucioni i drejtuar prej tij i është bashkuar me kohë nismës.
Një Tiranë e gjelbëruar u siguron qytetarëve të saj ajër dhe mjedis më të pastër, jetë më të bukur dhe më të lumtur. ALSAR prej vitesh kontribuon për një Tiranë të tillë.