Fondacioni ALSAR ka hapur dyert këtë të premte të 20 marsit për të pritur e festuar me miq e bashkëpunëtorë Fitër Bajramin.
Si për çdo vit në këtë festë, fondacionin e kanë vizituar mysafirë të shumtë, mirëseardhja për të cilët ka qenë si gjithmonë mjaft e ngrohtë.
Personalitete të fushave të ndryshme, nga jeta akademike, shoqërore, politike, kulturore, funksionarë, përfaqësues e drejtues organizmash, janë pritur nga kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, me të cilin kanë shkëmbyer urime, kanë biseduar e kanë ndarë përvoja të muajit të agjërimit.
Urimet për Fitër Bajram i përcolli, midis vizitorëve, dhe prefekti i Tiranës, z. Shkëlqim Hajdari. Ndër mysafirët ishte gjithashtu dhe kryetari i Shoqatës “Tirana”, z. Ruzhdi Keçi.
Temë e bisedave spontane qe Ramazani dhe agjërimi në të, Fitër Bajrami si konkludues i tyre. Aktiviteti humanitar i ALSAR-it gjatë Ramazanit u vu gjithashtu në pah për dendësinë e tij dhe efikasitetin në shpërndarjen e ndihmave.
Qerasja e mysafirëve e bëri akoma më mikpritës dhe më të ngrohtë mjedisin.
Atmosfera e festës dhe urimet për Fitër Bajram e zbukuruan pritjen në Fondacionin ALSAR.











