Fondacioni ALSAR shtron iftarin tradicional, të ftuar personalitete të fushave të ndryshme.

Si për çdo vit në muajin e agjërimit, Fondacioni ALSAR shtroi një iftar në hotelin “Tirana International”. Ftesës iu përgjigjën personalitete të ndryshme, figura të njohura të shoqërisë sonë, diplomatë, drejtues lokalë, klerikë, intelektualë, aktivistë socialë dhe mirëdashës.

Vargjet kur’anore dhe tingujt orientalë shoqëruan pritjen e mysafirëve dhe i dhanë ngrohtësi mjedisit të iftarit tradicional të ALSAR-it.

Këndimin e Kur’anit në hyrje të iftarit e bëri imami i xhamisë Valide Sulltan në Fatih të Stambollit, Mehmet Polat.

Të ftuarve iu drejtua me një fjalë të shkurtër kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, i cili më së pari u uroi mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve, më të veçantëve mes tyre të përmendur specifikisht.

Të përshëndetur prej tij për praninë në iftar ishin sekretarja e parë e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, znj. Kübra İyiiş Akgün, zëvendësambasadori dhe sekretari i parë i Ambasadës së Kuvajtit në Tiranë, z. Adnan Algunaim, nënkryetari i TİKA-s, z. Mahmut Çevik, dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Andi Seferi.

Z. Mehdi Gurra falënderoi posaçërisht Ambasadën e Republikës së Turqisë dhe Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TİKA, për përkushtimin dhe bashkëpunimin e gjatë, frytdhënës dhe në dobi të shoqërisë shqiptare.

Kryetari i Fondacionit ALSAR shfrytëzoi rastin për të vënë në pah bashkëpunimin shtatëvjeçar me shtetin e Kuvajtit përmes përfaqësisë diplomatike në Tiranë, në aktivitete të ndryshme humanitare, arsimore dhe kulturore. ALSAR është i akredituar pranë Ministrisë së Jashtme së Kuvajtit për të zhvilluar veprimtari të përbashkëta me organizma kuvajtiane të së njëjtës fushë.

Mikpritësi solli në vëmendje përjetimin ndryshe në këtë Ramazan për shkak të vuajtjeve të banorëve të Gazës, duke vënë në dukje qëndrimin kundër çdo gjakderdhjeje dhe duke uruar një fund sa më të shpejtë të situatës dramatike.

Z. Gurra foli mbi aktivitetin e ALSAR-it, e përshkroi 2023-shin si një vit të suksesshëm për fondacionin, dhe nënvizoi shtimin e veprimtarisë humanitare dhe botuese.

Mirënjohje përcolli ai për të gjithë bashkëpunëtorët, për kontribuesit në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.

Fjalën do ta merrte dhe sekretarja e parë në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë, znj. Kübra İyiiş Akgün, si përshëndetëse e të pranishmëve në iftar. Ajo foli për miqësinë e gjatë mes dy popujve, për lidhjet e forta, për partneritetin strategjik, teksa nënvizoi faktin se para disa muajve u kremtua 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve. Znj. Akgün u ndal në tragjedinë në Gaza, në dhimbjen e përjetuar prej vuajtjeve të mëdha të popullatës atje, dhe në gatishmërinë e Turqisë për të kontribuar për një zgjidhje.

Që prej themelimit të tij, Fondacioni ALSAR ka qenë një nga organizatat më të njohura joqeveritare në Shqipëri. Me ndihmën e Fondacionit ALSAR u dhurohet buzëqeshje nevojtarëve, kontribuohet në kulturën njerëzore të vendit me bursat që u jepen studentëve, dhe mundësohet zhvillimi i shumë veprimtarive akademike. Po ashtu, ALSAR shpreh dashurinë për Turqinë dhe popullin turk përmes projekteve të realizuara. Jemi mirënjohës për përpjekjet e tyre të mëdha për të shëruar plagët e popullit turk gjatë fatkeqësisë së tërmetit të vitit të kaluar. Me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve tona, ALSAR organizoi një simpozium të suksesshëm, duke mbledhur akademikë, udhëheqës dhe diplomatë nga shumë vende të Ballkanit. ALSAR na tregoi se jemi bashkë në ditë të mira dhe në ditë të vështira. Shpresoj të realizojmë shumë projekte të tjera të përbashkëta në të ardhmen. Dëshiroj të falënderoj kryetarin e Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe të gjithë stafin e tij për të gjitha veprimtaritë e zhvilluara deri më sot.,” ishin fjalët e saj kushtuar ALSAR-it.

Iftarin e përshëndeti dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Andi Seferi, lëvdues i punës së Fondacionit ALSAR dhe i bashkëpunimit institucional për një kryeqytet sa më të mirë për qytetarët e tij.

Përshëndetje të veçantë u bëri të ftuarve nënkryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), z. Mahmut Çevik. Nënvizues i bashkëjetesës së dy popujve për shekuj, i angazhimit të institucioneve turke për ta forcuar këtë lidhje të veçantë, ai u ndal në aktivitetin e TİKA-s në vendin tonë, të nisur prej vitit 1996 dhe të përmbledhur në qindra veprimtari.

Gjatë kësaj periudhe 28-vjeçare janë realizuar në Shqipëri 600 projekte, në fushën e arsimit, në shëndetësi, në infrastrukturë dhe në fushën kulturore,” tha z. Çevik.

Ashtu si dhe sekretarja e parë e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, ai theksoi kontributin shoqëror të Fondacionit ALSAR, rolin e tij në forcimin e lidhjeve, dhe bashkëpunimin e suksesshëm me TİKA-n.

Gjej rastin, në praninë tuaj, të shpreh falënderimet e përzemërta për Fondacionin ALSAR, që u gjendet pranë jetimëve dhe u fal buzëqeshje nevojtarëve. E falënderoj gjithashtu që kontribuon drejtpërdrejt me mbështetjen e projekteve për zhvillimin kulturor e historik të vendit, si dhe të marrëdhënieve midis dy shteteve. Ne, si TİKA, po vijojmë me Fondacionin ALSAR bashkëpunimin në projekte socio-kulturore”, u shpreh z. Çevik.

Duatë në iftar, bërë nga atasheu për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, Adem Gerlegiz, i dhanë frymën e duhur ambientit dhe përçuan prehje e përmbushje te të ftuarit.

soap 2 day