Thuajse në mesin e muajit të Ramazanit, Fondacioni ALSAR ka shtruar iftarin tradicional, duke mbledhur rreth tryezave personalitete të fushave të ndryshme.
Iftarin e shtruar në mjediset e “Hotel Tirana International” e nderuan me pjesëmarrjen e tyre ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, përfaqësues të trupit diplomatik, koordinatori i TİKA-s në Tiranë, përfaqësues të pushtetit lokal, akademikë, historianë, teologë, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues institucionesh, bashkëpunëtorë e të ftuar të tjerë.
Pritjen ua bëri mysafirëve kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra. Thirrja e ezanit shënoi fillimin e iftarit për mysafirët e shumtë.
Në fjalën e mbajtur për të pranishmit, z. Mehdi Gurra u uroi fillimisht mirëseardhjen atyre, e më pas i bëri një pasqyrë të përmbledhur aktivitetit të Fondacionit ALSAR për periudhën pararendëse njëvjeçare, me theksin të vënë në arritjet në fushat humanitare, arsimore dhe kulturore.
Kryetari i Fondacionit ALSAR vuri në dukje aktivitetin e dendur humanitar, e cilësoi 2024-n si vitin më të mirë të botimeve, me numrin më të madh të tyre, dhe përmendi simpoziumet e konferencat shkencore të organizuara dhe të mbajtura nga ALSAR-i në 80-vjetorin e gjenocidit mbi çamët dhe mbi dy personalitete shqiptare të Perandorisë Osmane, Iljaz Bej Mirahorin dhe Koçi Beun.
Z. Gurra foli mbi ndarjen nga kjo jetë gjatë kësaj kohe të disa bashkëpunëtorëve, si të kryetarit të shoqatës “Tirana”, z. Arben Tafaj.
Pjesë e fjalës së tij ishte dhe një deklarim kundër krijimit të shtetit bektashi në Tiranë, si një ide që rrezikon të prishë unitetin social dhe të krijojë përçarje me pasoja në jetën e vendit, si një eksperiment i panevojshëm për Shqipërinë.
Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, tek e mori gjithashtu fjalën, i vlerësoi fort aktivitetin dhe kontributet e Fondacionit ALSAR.
Diplomati i lartë turk u solli në vëmendje të pranishmëve aktivitetin diplomatik të Ambasadës së Turqisë dhe shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve. Forcimi i këtyre marrëdhënieve, çuarja më tej e tyre, si në fushën ekonomike, përbënë pjesë të fjalës së ambasadorit.
Lutjet në iftar i bëri atasheu për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Adem Gerlegiz.
Mikpritja e spikatur e organizatorëve, mjedisi i ngrohtë, ushqimi i zgjedhur dhe cilësor, melodia bashkëshoqëruese orientale në sfond, i dhanë iftarit atmosferën e duhur.