Në nisje të këtij muaji të bekuar, kur qenien njerëzore e pushton përshpirtshmëria dhe me vetëdije e vullnet të plotë e privon veten prej së zakonshmes në përditshmëri, për t’u pastruar dhe lartësuar në besim, Fondacioni ALSAR i uron çdo besimtari ta kalojë sa më lehtë agjërimin, ta përjetojë siç duhet këtë akt adhurimi, e ta ketë atë të pranuar tek Zoti!
Ramazani është një mundësi e shkëlqyer për të medituar, për t’u thelluar në përsiatjen mbi ekzistencën njerëzore, e, që këtej, për ta ridimensionuar jetën tonë.
Ramazani është një derë e hapur për t’i ikur së keqes e për t’iu dhënë së mirës, për ta refuzuar antivlerën dhe për ta përqafuar vlerën e vërtetë, islame.
Devotshmëria e treguar në këtë muaj, sjellja e patëmetë, është nxitje për ta shndërruar atë në përhershmëri të çdo besimtari, të çdo njeriu të virtytshëm.
Sa më shumë shtohen sfidat e kohës, sa më e vështirë dhe më e komplikuar bëhet jetesa, aq më e nevojshme bëhet dhënia pas Zotit. Agjërimi dhe i tërë adhurimi i këtij muaji janë një shteg për t’iu afruar Atij.
Për gjithçka që sjell ky muaj, për fetarinë dhe ndjenjat njerëzore të përtërira, Fondacioni ALSAR uron dhe një herë për çdokënd një Ramazan të mbarë, me agjërim e lutje të pranuara!