Fondacioni ALSAR uron: Gëzuar Kurban Bajramin!

Vëllezër e motra!

Muslimanë e muslimane!

Shqiptarë ngado që jeni!

Falë Zotit, ia mbërritën ditës së Kurban Bajramit dhe për këtë vit. Pasi e përjetuam me gëzim të madh Fitër Bajramin muaj më parë, ka ardhur tani momenti të festojmë Kurban Bajramin. Pasi e privuam veten në shenjë sakrifice për një muaj në Ramazan nga një pjesë e përditshmërisë sonë, tashmë është koha për një tjetër sakrificë.

Blatimi i një kurbani Zotit të Gjithësisë është shprehje e sakrificës sonë, është shprehje e përuljes dhe bindjes së njeriut para urdhrit të të Plotfuqishmit. Lart, tek Ai, ngjitet veç devotshmëria jonë; pjesa lëndore, mishi i kurbanit, u ndahet njerëzve të gjakut, të afërmve dhe të papasurve, e me të ushqehemi dhe vetë në këtë ditë të gëzuar.

Sakrifica dhe solidariteti, dy tipare të larta të karakterit njerëzor, shpërfaqen fuqishëm në këtë ditë. Ne bëjmë kurban për Zotin dhe u gjendemi pranë njerëzve rreth nesh, shprehim përkushtimin tonë ndaj Zotit dhe mirësinë ndaj mjedisit tonë shoqëror.

Kurban Bajrami është festa jonë, festa e çdo besimtari musliman në rruzullin tokësor. Gëzuar festën!
Urimi i Fondacionit ALSAR është për çdokënd. E bashkë me urimin, si për çdo Kurban Bajram, Fondacioni ALSAR troket e sjell gëzim në mijëra dyer shqiptarësh me aktivitetin e tij të pandërprerë dhe në këto ditë feste.

Zoti na e pranoftë kurbanin!

Na dhëntë Ai mbarësi, begati dhe jetë të devotshme! Qoftë i kënaqur me ne!

Zoti i bekoftë dhe i begatoftë shqiptarët!

soap 2 day