Botimet ‘Alsar’ shtojnë më tej gamën e gjërë të botimeve letrare e historike me titullin e ri ‘Nëna Kosovë (1938-1943)’ me autor Dr. Vafsi Samim Visoka.
Vepra ‘Nëna Kosovë’ me autor Samim Visoka hedh dritë mbi perceptimin politik dhe kulturor mbi çështjen e pazgjidhur kombëtare për kohën ku autori Samim Visoka e konsideron bashkimin e Kosovës me trungun e Shqipërisë së Vjetër (ashtu si e cilëson autori hartën politike të Republikës së Shqipërisë) si një imperativ dhe jo si një ndër alternativat në shumatoren e alternativave të realitetit dhe kontekstit politik të viteve 30-40.
Manifesti i tij prej një patrioti të vërtetë shprehet në çdo rresht të kësaj vepre ku Kosovën e cilëson si pikënisje dhe pikëmbarimi të kauzës kombëtare shqiptare.
Kjo vepër konsiderohet e veçante për formën mjeshtërore se si autori ka ndërthurur elementin poetik e letrar me elementin e domosdoshmërisë politike e diplomatike për zgjidhjen e çështjes kombëtare ku me penën e tij elegante dhe hera herës tepër imponuese (në atë çka konsiderohet vetëdije kombëtare) prej një patrioti pasionant dhe prej një intelektuali poliedrik në veprën e tij ndër të tjera shprehet: “Kam shkuar pesë herë në Kosovë. I jam bërë pesë herë dashnor. Qielli i Kosovës ndriçon me rrezet e diellit që i veshin syrin njeriut.
Atmosfera e saj është e mbushur me një fuqi tërheqëse dhe në tokat e saj të shenjta valon një fuqi magjiplote. Në Kosovë për të parën herë njeriu e ndjen veten të hyjë në tempullin kombëtar.
Aty një qetësi e këndshme, një besim i sigurtë dhe një vetmohim i ëmbël, ia pushton zemrën, trurin dhe shpirtin çdo udhëtari. Aty për të parën herë besoni në vetvehte. Bukura e Kosovës është bukuria e së drejtës. Zëri i Kosovës është zëri i historisë dhe shkëlqimi i saj është drita e së vërtetë”.
Veprën ‘Nëna Kosovë’ për të gjithë studiuesit e historisë e çështjes kombëtare shqiptare dhe për të apasionuarti e letërsisë shqipe e gjeni në Librarinë ‘Botimet Alsar’, Rruga e Bogdanëve.