Në prag të hapjes së Panairit të Librit në kryeqytet, Fondacioni “ALSAR” ka shpërndarë qindra libra në qytetin e Shkodrës.
“Libri, dhurata më e çmuar” është një prej shumë projekteve të fondacionit të vënë në jetë me sukses. Ndalesa e radhës ishte këtë herë në Bibliotekën e Shkodrës “Marin Barleti”, përzgjedhur nga Fondacioni “ALSAR”.
Bibliotekës “Marin Barleti” i janë dhuruar 650 libra. Këto libra do t’u shërbejnë kryesisht studentëve, dhe janë më së shumti të karakterit historik, ku nuk mungojnë dhe botimet më të fundit. Biblioteka e qytetit dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” kanë menduar që studentët të marrin nga dhjetë tituj librash prej botimeve të Fondacionit “ALSAR”.
Në aktivitetin e zhvilluar me këtë rast, një fjalë para të rinjve mbajti drejtori i bibliotekës, Gjovalin Çuni, i cili u kërkoi atyre të afrohen sa më tepër me bibliotekën e t’i jepen leximit. Për pjesëmarrësit foli dhe kryetari i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra.
Drejtori i bibliotekës “Marin Barleti” shprehur nevojën e institucionit që drejton për një skaner profesional, duke marrë premtimin e z. Gurra, në emër të “ALSAR”-it, për të bërë ç’është e mundur për ta siguruar atë.
Një ndihmesë të posaçme në zhvillimin e tërë aktivitetit dha znj. Sidita Halluni.
Vizita pati dhe te Biblioteka Françeskane dhe Jezuitët e Shkodrës, ku u dhuruan po ashtu libra.
Një ndalesë tjetër qe në “Radio Jehona”, nga drejtuesit e së cilës u kërkua ndihmë për rinovimin e aparaturës së këtij kanali radiofonik. Drejtuesi i Fondacionit “ALSAR” shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në këtë aspekt.