Gjimnazistët e shkollës “Havzi Nela” në Kukës vënë në skenë komedinë “Shi në plazh” me mbështetjen financiare të Fondacionit ALSAR

Komedia e mirënjohur dhe shumë e dashur për publikun artdashës, “Shi në plazh”, me skenar të të ndjerit Teodor Laço, është vënë në skenë në Pallatin e Kulturës të Kukësit nga gjimnazistë të shkollës së mesme “Havzi Nela” dhe nga ndjekës të kurseve të gjuhës turke në qytetin verior.

Veprimtaria artistike u ideua nga Qendra Kulturore e Bashkisë së Kukësit për të gjallëruar jetën kulturore-artistike të qytetit pas pandemisë, duke patur në qendër të vëmendjes brezin e ri.

Vënia në skenë e komedisë u bë e mundur me mbështetjen financiare të Fondacionit ALSAR, i cili u tregua i gatshëm t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së Qendrës Kulturore.

Përfshirja e ndjekësve të kurseve të gjuhës turke në përgatitjen dhe në vënien në skenë të komedisë synonte të shprehte forcën e bashkëpunimit kulturor shqiptaro-turk.

Shfaqjen e ndoqën autoritete vendore, mësues dhe drejtues të shkollës së mesme “Havzi Nela”, nxënës dhe qytetarë. Ata duartrokitën lojën skenike të aktorëve gjimnazistë, mjaft tërheqëse për nivelin e tyre amator.

Fondacioni ALSAR u nderua me një certifikatë mirënjohjeje, dhënë nga Bashkia e Kukësit për kontributin në gjallërimin dhe pasurimin e jetës kulturore të qytetit, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e suksesshëm.

soap 2 day